Prokuroria e Tiranës më në fund ka zbërthyer skandalin e mikrokredive dukë kërkuar 9 masa sigurie për administratorët e 5 kompanive, si dhe për disa përmbarues në Tiranë.
Masa “arrest në burg” është kërkuar për Aldo Dakën, Albert Gegën, Edomnd Maton, Arben Meskutin, si dhe Alban Kote është shpallur në kërkim.
Ndërsa, për Kejda Seferin, Elda Ibron, Alketa Tanushin dhe Jordisa Dervishin është kërkuar masa “arrest në shtëpi”.
Personat që shihni në foto janë pikërisht 9 zyrtarët që në mënyra të ndryshme u përfshinë në skemën e mashtrimit me mikrokreditë dhe zhvatën me qindra qytetarë shqiptarë.
Prokuroria e Tiranës “kopsiti” dosjen lidhur me skandalin e mikrokredive duke kërkuar këtë të premte 9 masa sigurie për administratorët e subjekteve financiare dhe përmbaruesve, të cilët akuzohen se kanë mashtruar shqiptarët përmes skemave korruptive të mikrokredive. Prokuroria ka arritur të zbërdhejë skandalin e denoncuar muaj më parë nga Neësbomb.al se si shqiptarët zhvateshin dhe “merreshin peng” nga këto shoqëri.
Në numrin e muajit Janar, Revista Neësbomb.al i kushtoi një investigim të plotë kësaj skeme mashtruese që bën biznes me ëndrrat e të varfërve, që tregon sesi kanë lulëzuar nën hijen e Bankës së Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare, skemat financiare të mikrokredive, të ndihmuara dhe nga disa shoqëri përmbarimore.
Një pjesë e bankave që shiti një sasi të kredive me probleme te kompanitë e mbledhjes së borxheve, një ndër to dhe Micro Credit Albania, nuk u interesua asnjëherë për fatin e kreditorëve.
Ajo që nisi fillimisht si një biznes i drejtë për të mbledhur detyrimin që disa individë kishin pranë bankave të nivelit të dytë, nisi dalëngadalë të kthehej në një skemë grabitqare dhe me synimin për tu pasuruar në kurriz të të pamundurve. Kompanitë e mbledhjes së borxhit blenë për 8 deri në 10% të vlerës një total prej rreth 100 mijë kontratash kredish të këqija, dhe aty ku u gjetën debitorë, nuk u kursyen t’i vendosin detyrime të larta përtej vlerave që lejon ligji.
Micro Credit Albania ka vijuar biznesin duke i vendosur qindra debitorëve një penalitet 30% mbi vlerën e detyrimit bashkë me interesin dhe jo të principalit, siç sanksionon rregullorja e Bankës së Shqipërisë. Për të gjetur shpëtim, kreditorët e këqinj janë udhëzuar nga zyrat e përmbarimit të kontraktuara nga MCA që të lidhin një aktmarrëveshje për shlyerjen e borxhit bashkë me penalitete.
Debitorët kur janë përballur me bllokimin e pagave, makinave dhe të gjithë të ardhurave që kishin janë detyruar të pranojnë marrëveshjen, por kanë pyetur se ku mund të marrin paratë. Përmbaruesi i ka rekomanduar lidhjen e një kontrate huaje, dhe paratë do të shkonin më pas në llogarinë e MCA. Njëherë kredi bashkë me interesin e saj nga një kreditor i keq, dhe sërish kredi për një kreditor të keq, kjo e dyta me interes më vete.
Kredia nuk lëshohej nga banka, por personi që lidhte marrëveshjen shoqërohej në sportel nga një punonjës i MCA i cili lëshonte një çek që thyhej nga sportelisti i bankës. Ministria e Drejtësisë ka identifikuar raste ku kreditorët e këqinj janë detyruar të lidhin deri në 3 herë kontrata të reja kredie, të cilat kapin vlerë deri në 2, 3 apo 4 herë më të lartë se detyrimi fillestar, por paratë nuk janë prekur asnjëherë me dorë nga kreditori me përjashtim të kredisë së parë, të gjitha janë arkëtuar nga MCA.
Kjo skemë nisi duke u facilituar nga sportelet bankat e nivelit të dytë, por më pas Microcredit Albania aplikon për t’u pajisur me licencë si institucion financiar që lejohet të japë kredi. Këtu biznesi nisi të lulëzonte. Tashmë debitorët e lidhin kontratën e kredisë me vetë MCA disa herë dhe vlera e detyrimeve që ata paguanin kalonte disa herë paratë që kishin marrë kredi dikur në bankë. Familjet e pamundura varfëroheshin dhe fitimet e MCA dhe disa përmbaruesve vetëm shtoheshin.