I moshuari Gjek Prronaj, i cili mbeti i bllokuar brenda banesës që po i digjej në Shkodër, fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Mësohet se 80-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë, pasi flakët e frikshme përfshinë banesën e tij në fshatin Shtoj i Vjetër të Shkodrës.
Burime për mediat bëjnë me dije se trupi i pajetë i të moshuarit është nxjerrë nga zjarrfikësit. Flakët përfshinë banesën e Gjek Prronit rreth orës 21:35.
Në vendin e ngjarjes mbërritën 4 mjete zjarrfikëse si dhe 12 efektivë të cilët punuan për neutralizimin e flakëve, por fatkeqësisht nuk arritën të shpëtojnë të moshuarin i cili ndodhej brenda banesës.
“Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 21:35, në fshatin Shtoj i Vjetër, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetasit Gj. P., 80 vjeç.
Si pasojë e zjarrit, ka humbur jetën shtetasi Gj. P, i cili jetonte i vetëm. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit po punon për përcaktimin e saktë të shkakut të rënies së zjarrit”, njoftoi Policia.