Disa fermerë nga fshatrat e Roskovesit dhe të Dimalit janë ngritur ditën e sotme në protestë. Me pankarta në duar në mes të shiut dhe motit të keq, ata kundërshtojnë ndërtimin e Termocentralit në Suk 1.
Ata janë kundër duke thënë se ndërtimi i termocentralit në këtë zonë do të shkatërrojë sipërfaqe bujqësore prej 700 ha me sera.
“Ne jemi të vendosur për të ndaluar këtë bombë ekologjike, që po na sjellin në derë të shtëpisë kanë thënë fermerët dhe do të protestojmë fuqishëm ashtu siç u ngritën fermerët në Mbrostar të Fierit dhe ndaluan ndërtimin e inceneratorit në zonën e tyre”, tha një prej protestuesve.
Ata janë shprehur se nëse nuk ndalohet plani për ndërtimin e termocentralit, atëherë do të futen në grevë urie.
Ndërkohë ndërtimi i këtij termocentrali ka sjellë shumë reagime, ku më herët edhe opozita e ka cilësuar si projekt kriminal dhe të pabesë që shkakton vdekjen e asaj zone.