Hapësire reklamuese

Aktualitet

Fëmijët qanin të tmerruar, momenti kur babai i zhveshur dhe me cigare në dorë, i dorëzohet policisë në Durrës

Shkruar nga Newsbomb
Fëmijët qanin të tmerruar, momenti kur babai i zhveshur dhe me
Momenti vetedorezimit te 40-vjeçarit

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë që u shënua në Durrës, ku babai 40-vjeçar mbante peng fëmijët, 6 dhe 11 vjeç.

Bëhet me dije se pas disa të shtënave drejt policisë, dhe disa orëve negociata Aleks Marku është bindur që të dorëzohet.

Gjatë momentit që bëheshin negociatat fëmijët dëgjoheshin të tmerruar duke i bërë thirrje babait që të dorëzohet.

Pasi ka hapur derën, Marku është shprehur se ka qëlluar me armë se do e sulmonin disa persona, por pa treguar se kush dhe çfarë.

Ai mësohet se ka qëlluar mbi 15 herë nga dritarja e ballkonit, ndërsa plumbat kanë shpuar muarin dhe kanë thyer xhamat në shtëpinë që ai kishte marrë me qira.

40-vjeçari është shoqëruar në polici, ndërsa dy fëmijët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po u jepet asistencë nga psikologët.

Njoftimi i policisë:

Qëlloi me armë zjarri, nga banesa ku mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, pas disa orësh negociata, RENEA hyri në banesë dhe liroi fëmijët.

Gjithashtu, RENEA vuri në pranga autorin dhe i sekuestroi armën e zjarrit kallashnikov.

Rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.

Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç.

Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë.

Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.

Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit A. M., të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.

Gjithashtu, Policia nxorri të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë.

40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale. Për motivet që shtynë 40-vjeçarin në këtë ngjarje, do të japim informacion në vijim.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese