
Enejd Laçi, 25 vjeç, Erild Laçi, 20 vjeç, (vëllezër), Andi Laçi, 22 vjeç dhe Enrikejd Kurti, 24 vjeç janë katër djemtë të cilët humbën jetën dy ditë më parë në Fushë-Prezë pasi makina me të cilën ata po udhëtonin, shpërtheu në flakë pasi u përplas me betonieren.
E afërmja e viktimave ka folur live për News24 teksa fajsoi shoferin e betonieres, 24-vjeçari Aleksandër Krrashin për vdekjen e 4 të rinjve. Sipas asaj që e afërmja e viktimave thotë, djemë do të kishin shpëtuar nëse shoferi i betonieres nuk do të ishte larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
“Shoferi i betonieres nuk iu ka dhënë ndihmë fare djemve të rinj, edhe pse ata kanë bërtitur duke kërkuar ndihmë që të hapeshin dyert. Shoferi i betonieres ka ikur. Nëse do i kishte ndihmuar, djemtë tanë sot do ishin gjallë”, tha ajo.
Aleksandër Krrashi në dëshminë e dhënë përpara autoriteteve është shprehur se sapo ka hyrë në rrugën kryesore betonieria i është fikur pasi i kishte mbaruar nafta. Më pas ka vijuar të thotë se kishte harruar të ndizte bllokazhin e mjetit.
Ndërkohë Policia Rrugore ka zbardhur dinamikën e këtij aksidenti dhe referuar pamjeve të kamerave të sigurisë rezulton se automjeti “Benz” ku ndodheshin të rinjtë ka kryer parakalimin e dy kamionëve që lëviznin në rrugën Vorë-Fushë Krujë.
Më pas, pas parakalimit të rrezikshëm ata kanë hyrë sërish në karraxhatë kur dhe janë përplasur me betonierën e ndaluar në rrugë.