21-vjeçarja shqiptare, Elisa Doka, do të përcillet nesër, 3 mars, për në banesën e fundit. Burime për mediat bëjnë me dije se trupi i Elisës do të prehet në atdhe.
Ajo humbi jetën si pasojë e një aksidenti të ndodhur ditën e djeshme në Veria të Greqisë. E reja shqiptare, së bashku me një 68-vjeçare greke u përplasën për vdekje nga një automjet teksa po prisnin autobusin në stacion.
Si pasojë e përplasjes gjeti vdekjen e menjëhershme 68-vjeçarja, të cilën mjeti e hodhi rreth 25 metra larg, ndërsa 21 vjeçarja shqiptare u dërgua në spitalin e Verias ku dhe fatkeqësisht ndërroi jetë pak momente më vonë.
Shoferi 65-vjeçar, i cili dhe shkaktoi aksidentin, humbi kontrollin e automjetit pasi dyshohet se nuk ishte ndjerë mirë. Ai u arrestua, mirëpo më pas u la i lirë nga Gjykata dhe është duke marrë ndihmë mjekësore.