
Gjykata e Sarandës ka dhënë masën e sigurisë për 3 ish-zyrtarë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe ish-deputetin e PD-së, Gani Hoxha.
Të pandehurit akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh për tjetërsimin e disa pronave, një "truall" me sipërfaqe 1000 m2 dhe godinë katër kate me sipërfaqe ndërtimi për banim 1359 m2 si dhe me sipërfaqe 1056 m2 aktivitet social ekonomik, në një nga zonat e Sarandës.
Ish-drejtoresha e ASHK-it në Sarandë Aida Demi, 40 vjeç, si dhe dy ish specialistët e këtij institucioni, Erald Lika dhe Ermen Stroka, akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa ndaj ish-deputeti të PD-së, Gani Hoxha rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve.
Prokuroria e Sarandës kishte paraqitur kërkesë në Gjykatën e Sarandës për caktimin e masës së sigurisë “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalimi i daljes jashtë shtetit” për Demin dhe “Arrest në shtëpi” për Likën, Strokën dhe Hoxhën.
Me datë 13 maj, gjyqtari, Fatmir Ndreu pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe caktoi masën e sigurisë në mungesë për 4 të pandehurit. Policia e Sarandës dhe Tiranës ekzekutoi masat duke sekuestruar pasaportën e Demit dhe izoluar në banesat përkatëse Likën, Strokën dhe Hoxhën.
Para të njëjtit gjyqtar janë paraqitur sot prej orës 08.30 të katër personat bashkë me avokatët e tyre respektivë. Ata kanë kërkuar ndryshimin e masave të sigurimit të caktuara në mungesë ndaj tyre, por pas rreth 6 orë seancë, kërkesa është rrëzuar nga Gjyqtari Fatmir Ndreu, i cili ka lënë në fuqi vendimin e 13 majit për masat e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalimi i daljes jashtë shtetit” për Aida Demin dhe “Arrest në shtëpi” për Erald Likën, Ermen Strokën dhe Gani Hoxhën.
Burime bëjnë me dije se brenda pak ditësh, do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për kalimin në gjyq të çështjes penale pasi hetimet kanë përfunduar.
Sipas Prokurorisë, nga këto veprime të kundra ligjshme të specialistëve dhe ish Drejtoreshës së ASHK Sarandë, është tjetërsuar një pasuri Truall me sipërfaqe 1000 m2 dhe godine katër kate me sipërfaqe ndërtimi për banim 1359 m2 dhe me sipërfaqe 1056 m2 aktivitet social ekonomik.
Kjo godinë disponohej dhe jepej me qira prej vitesh nga pronarët e vërtetë një subjekti të njohur tregtar në të gjithë territorin e vendit i cili ushtronte aktivitet edhe në periudhën kur janë kryer procedurat e legalizimit. Bëhet fjalë për truallin në pronësi të familjes Sejko nga Saranda, të cilën arriti ta kalojë në pronësi të tij, përmes veprimeve në ASHK Sarandë, ish deputeti i Partisë Demokratike Gani Hoxha.