
Një efektiv policie është ndaluar pasi akuzohet për falsifikim të dokumentave. Sipas njoftimit të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, inspektori 29-vjeçar me ininciale Gj.GJ, ka falsifikuar dokumentacionet shkollore me qëllim përfitimin e padrejtë të studimeve në Fakultetin e Hetimit të Krimit në Akademinë e Sigurisë.
29-vjeçari akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Falsifikimi i dokumenteve shkollore” dhe “Falsifikimi i vulave / stampave dhe formularëve”.
Ndërkohë, vazhdojnë hetimet e thelluara për implikim të personave të tjerë në këtë veprimtari të kundraligjshme.
“Në funksion të procedimit penal, referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar “Urdhërin e ndalimit të të dyshuarit për një krim” ndaj oficerit të policisë, Inspektor GJ.GJ., 29 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Falsifikimi i dokumenteve shkollore” dhe “Falsifikimi i vulave / stampave dhe formularëve”.
Nga hetimet e kryera nën drejtimin e Prokurorisë, ka rezultuar se ai ka falsifikuar dokumentacione shkollore me qëllim përfitimin e padrejtë të studimeve në Fakultetin e Hetimit të Krimit në Akademinë e Sigurisë”, thuhet në njoftimin e AMP-së.