Europol dhe Interpol ndërmorën një operacion masiv në 6 shtete, me qëllim goditjen e grupeve kriminale të trafikut të kokainës dhe heroinës. Trafikantët ishin kryesisht shqiptarë bëjnë të ditur mediat e huaja. Operacioni i nisur ditën e martë, përfundoi me 17 shqiptarë të arrestuar, pjesa më e madhe janë prangosur në Belgjikë.
Gjithashtu mësohet se arrestime janë bërë edhe në Zvicër, Itali, Hollandë, Austri si dhe Gjermani. Gazeta zvicerane Le Canton27.ch njofton se dy shqiptarë të së njëjtës bandë kriminale ishin arrestuar më herët në Hollandë dhe në Zvicër.
Nga 17 të arrestuar nga banda e shqiptarëve, tre prej tyre janë kapur në Zvicër!
Le Canton27.ch bëri me dije më tepër detaje nga operacioni i zhvilluar nga autoritetet europiane ku dhe bënë të mundur zbërthimin e bandës shqiptare. Në Zvicër u prangosën tre persona si dhe u sekuestruan 9 kilogramë heroinë dhe dy kilogramë kokainë.
EUROPOL ka njoftuar se kriminelët ishin të dhunshëm dhe kishin në dispozicion të tyre një arsenal mbresëlënës me armë.
Si nisi operacioni?
Pako kokaine e pajisje bluarëse u zbuluan në një magazinë të paligjshme në Antwerp (Belgjikë). Kjo i vuri hetuesit në gjurmët e një rrjeti shqiptar të trafikut të drogës. Organizata kriminale shqiptare e shpërbërë merrej me trafik droge në shkallë të gjerë dhe grabitje me armë. Aktivitetet e saj u shtrinë edhe në Zvicër, thanë nga Zyra e Policisë Federale (Fedpol), citon Le Canton27.ch. Zbulimi në Antwerp u pasua nga disa operacione në vende të tjera në Belgjikë, të cilat zbuluan dhjetëra ambalazhe boshe heroine dhe kokaine.