
Të tjera detaje, aleanca dhe pazare janë “zbërthyer” nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mësohet se në planin e ekzekutimit të Fatmir Hysenit dhe Durim Bamit, Ervis Martijan dhe Emiljano Shullazi “aktivizuan” Tesi Bashon dhe Viktor Imerajn.
Në muajin janar të vitit 2020, Viktor Imeraj, kishte vetëm 1 muaj që ishte liruar nga burgu i Kosovës në Lushnjë, pasi përmes një vendimi të dhënë nga gjyqtarja Elbasanit, Enkeleda Kapedani, ai fitoi shuarjen e dënimit me 25 vite burgim të dhënë nga Gjykata e Apelit në Durrës.
Kjo pasi më shumë se ¾ të dënimit Imeraj e kishte vuajtur, duke i mbetur vetëm 1 muaj e 23 ditë dënim për të shlyer. Edhe pse la qelinë, Imeraj marrëdhëniet me “të fortët” e burgut nuk i shkëputi asnjëherë dhe këtë fakt e vërtetojnë më së miri ngjarjet kriminale që janë zbardhur së fundmi.
Sipas dosjes së SPAK, të siguruar nga Elton Qyno, në muajin janar, Imeraj kishte biseduar me Emiljano Shullazin, i cili i kërkoi ndihmë për të gjetur Fatmir Hysenin alias “Doçja”. Për këtë arsye Imeraj kishte biseduar në aplikacionin “SkyEcc” me Tesi Bashon, i cili aso kohe ndodhej në qeli.
Qëllimi ka qenë ekzekutimi i Fatmir Hysenit dhe Durim Bamit, pasi së bashku me grupin e drejtuar nga vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, i kishin krijuar shumë dëme grupit të Ervis Martinaj.
Porosia ishte dhënë nga Ervis Martinaj, i cili më pas komunikoi vetë me Imerajn përmes “Sky”. Qëllimi i grupit ishte sigurimi i informacioneve, lokalizimi i Fatmir Hysenit dhe eleminimi i tij, i cili besohej se në atë periudhë qëndronte në dy baza të sigurta, Tiranë dhe Kamëz. Sipas asaj që citohet ndër rreshta në dosjen e SPAK thuhet se “Mbreti” i lojërave të fatit, Ervis Martinaj, do të paguante mbi 400 mijë euro për kokën e Fatmir Hysenit, ndërsa besohet se në “lojë” Shullazi ka futur dhe Tesilvian alias Tesi Bashon nga Selenica e Vlorës.
Tesi Basho, është një person i dënuar me burgim të përjetshëm në Itali, për vrasjen e dy prostitutave. Ai u kap në banesën e tij në Selenicë, gjatë një aksioni të policisë së Vlorës. Basho kishte tre vite që fshihej në Shqipëri nën emrin e Thanas Lame, pasi pikërisht me këtë emër kishte arritur të nxirrte një kartë identiteti dhe madje të martohej, me një vajzë të quajtur J. Bushaj.
Policia shkoi në një operacion të fshehtë në banesën e Bashos, ku dhe zbuloi se njeriu më i kërkuar në Itali, kishte ngritur një perimetër të vërtetë sigurie. Ndërkohë, autoritetet italiane dërguan në Shqipëri kërkesën për njohjen e vendimit me burg përjetë të Bashos, ku Gjykata e Vlorës i njohu vetëm 14 vite heqje lirie. Me një bashkim dënimesh atë të Italisë dhe atë të armëve dhe hashashit në Selenicë, përfundimisht Basho u dënua me 14 vjet heqje lirie.
Por, aktivitetin kriminal Tesi Basho edhe pse në qeli nuk e shkëputi. I lidhur me Shullazin dhe Viktor Imerajn ai mori përsipër që përmes njerëzve të tij të gjente Fatmir Hysenin dhe Durim Bamin dhe t’i eleminonin.
Mirëpo pavarësisht aleancave dhe njerëzve të “lëshuar” kudo për të gjetur Hysenin, ky grup kriminal nuk arritën të plotësonin qëllimin e tyre. Ndërsa, Durim Bamit i bënë pritë në fshatin Qerek të Fushë-Krujës mbi automjetin e të cilit derdhën 13 plumba. Por, Bami arriti që t’i mbijetonte këtij atentati.