
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha së bashku me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ditën e sotme kanë vizituar portin e Durrësit.
Me një postim në rrjete sociale, Hoxha zbulon detajet e diskutimit të tyre gjatë vizitës në port, duke shprehur se kanë parë nga afër konkrete e kontrollet kufitare.
Gjithashtu, Hoxha shkruan se ndër të tjera kanë folur dhe për rezultatet e konfermcës së fundit e mbajtur në Londër, ku thekson ndërtimin e një marrëdhënieje mes tyre.
Postimi i tij:
Prita sot Kryeministrin e Britanisë së Madhe Keir Starmer, në të parën vizitë zyrtare në Shqipëri, dhe pamë nga afër masat konkrete e kontrollet kufitare në Portin e rëndësishëm të Durrësit.
Së bashku me Britaninë e Madhe kemi ndërtuar histori suksesi, në menaxhimin e migracionit të paligjshëm.
Fola me Kryeministrin Starmer mbi rezultatet e konferencës së fundit që u mbajt në Londër ku mora pjesë si përfaqësues i palës shqiptare.
Me Anglinë kemi ndërtuar një bashkëpunim të fortë dhe efikas. Ndihma e tyre ka ndikuar në rritjen e kapaciteteve tona policore. Tashmë kemi oficerë të Policisë së Shtetit që punojnë në skuadra të përbashkëta hetimore me Policinë britanike. Ndajmë bindjen se rezultatet mbresëlënëse kundër migracionit të paligjshëm do t’i zgjerojmë edhe në fushën e luftës kundër krimit të organizuar.