![“Erion Veliaj sulmoi Ola Xamën”, Amnesty International publikon](https://cdnimpuls.com/newsbomb.al/media3/-900-0-1766823c0830d3d3746a1569f768225c.jpg)
“Amnesty International” ka publikuar raportin vjetor për gjendjen e të Drejtave të Njeriut në gjithë botën, ku në veçanti është përmendur edhe Shqipëria. Organizata e të Drejtave të Njeriut ka theksuar se shqetësimet më të mëdha në vendin tonë kanë të bëjnë me lirinë e medias, me dhunën me bazë gjinore si dhe marrëveshjen Rama-Meloni, ku do të ndërtohet kampi i azilkërkuesve në Gjadër.
Sulmet sistematike kundrejt gazetarëve përbëjnë shqetësim real, ku ceken edhe në këtë raport të detajuar të gjigantit të të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu dhuna kundër grave po trumbetohet me të madhe jo vetëm në Shqipëri, por siç shihet ka kaluar përtej kufijve. Sipas “Amnesty International” po krijon jo pak shqetësim edhe ndërtimi i kampeve për refugjatët azilkërkues sipas marrëveshjes me Italinë.
Ky raport përmend 155 vende që kanë qenë nën monitorim të vazhdueshëm, ku siç shihet bën pjesë dhe Shqipëria. Shqetësim madhor global janë zhvillimet në Lindjen e Mesme, ku janë vrarë mijëra njerëz. Ndërkohë, për t’u ndalur te vendi ynë, raporti ka nxjerrë në pah trajtimin e gazetarëve, ku janë “gjatë gjithë kohës të sulmuar verbalisht dhe në ndonjë rast edhe fizikisht. Sa i përket dhunës në familje, janë vrarë 12 gra nga partnerët”, shkruhet në të.
Gjithashtu përmendet edhe rasti i “Top Channel” ku në mars të vitit 2023 u qëllua me armë zjarri në drejtim të godinës së këtij institucioni mediatik, për pasojë mbeti i vdekur roja i sigurisë. Ndërkohë raporti shkon më tej duke treguar se si një gazetar u sulmua fizikisht me bashkëshorten e tij sepse kishte raportuar për një çështje gjyqësore.
Ndërkaq, një çështje e nxehtë dhe që meriton vëmendje sipas “Aministy International” është sulmi i gazetares Ola Xama nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Në raport shkruhet: “Gazetarët u sulmuan nga figurat publike. Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës iu referua një gazetareje investigative si “vrasëse me pagesë” duke iu përgjigjur për një investigim që ajo kishte bërë dhe publikuar për rolin që ai kishte pasur në projektin e inceneratorit të Tiranës”.
Dhe në fund, mbyllet me shqetësimin e madh të marrëveshjes së kryeministres së Italisë, Giorgia Melloni me kryeministrin Edi Rama për ndërtimin e dy bazave në Shqipëri që do të shërbejnë për izolimin e refugjatëve që Italia synon të kapë jashtë ujërave të saj territoriale. Sipas këtij raporti, shtetit tonë fqinj kjo marrëveshje do t’i kushtojë miliona euro ku përfundimi do të jetë bashkësi boshe. Gjithashtu sipas këtij pakti rrezikojnë të minohen të drejtat e njeriut.