Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vënë në pranga këtë të dielë Oficerin e Krimeve në Tiranë, në komisariatin nr.4. Mësohet se i arrestuari është oficeri Kastriot Palushi i cili akuzohet për vepren penale korrupsion.
Arrestimi i 35-vjeçarit u bë pas një hetimi intensiv nga AMP ku u zbulua se ky punonjës policie duke shfrytëzuar postin dhe atributet e policisë gjyqësore, ka kërkuar shumën prej 50 mijë lekësh për të favorizuar palën nga një përgjegjësi penale.
Njoftimi i plotë i AMP:
AMP Tiranë arreston në flagrancë një oficer policie, të dyshuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve intensive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksiinit të Përgjithshëm Tiranë, duke aplikuar edhe metoda speciale të hetimit, ka arrestuar në flagrancë oficerin e policisë, Nënkomisar K. P., 35 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga hetimi i kryer, u administruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet e policisë gjyqësore, ka kërkuar dhe marrë shumën monetare prej 50.000 lekësh, duke premtuar shmangien nga përgjegjësia penale ndaj një shtetasi, i cili disa ditë më parë ishte kallëzuar nga një tjetër shtetas për kanosje.
Në përfundim të veprimeve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 50 mijë lekësh, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumenta të tjera që lidhen me ngjarjen.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë me prova ligjore, si dhe identifikimin e punonjësve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.