Një 40 vjeçar ka rënë në prangat e policisë në fshatin Marikaj në Vorë teksa po drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Gjithashtu ky shtetas ka goditur punonjësin e policisë dhe në tentativë për të ikur, ka goditur dhe mjetin e patrullës.
Bëhet fjalë për Elton Anderica (Muça), i dënuar dhe më parë për veprat penale “Vjedhje me dhunë”, “Vjedhje me armë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
40 vjeçari Elton Anderica kishte ndaluar në mes të rrugës duke penguar kështu qarkullimin e automjeteve. Teksa efektivët rrugores janë afruar për të ditur arsyjet e ndalimit të parregullt në rrugë, 40 vjeçari ka shfaqur shenja agresiviteti dhe ka filluar të shtyjë punonjësit e policisë dhe më pas në tentativë për tu larguar, ka përplasur dhe makinën e patrullës.
Ai është arrestuar në flagrancë dhe nga kryerja e testeve, rezultoi që Elton Anderica po drejtonte mjetin nën efektin e narkotikëve.
“Drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike si dhe kundërshtoi dhe kanosi për shkak të detyrës punonjësin e Policisë, arrestohet në flagrancë 40-vjeçari.
40-vjeçari, i dënuar më parë “për “Vjedhje me dhunë,” Vjedhje me armë”, dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Sekuestrohet municion luftarak që 40 vjeçari i posedonte në banesën e tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë gjatë patrullimeve në terren, të kryera me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë, në fshatin “Marikaj” kanë konstatuar një automjet i cili kishte ndaluar në mes të rrugës duke penguar qarkullimin e mjeteve.
Punonjësit të Policisë janë afruar dhe kanë marrë kontakt me drejtuesin automjetit duke e pyetur nëse kishte ndonjë problem që kishte ndaluar në mes të rrugës.
Drejtuesi i automjetit nuk ka dhënë shpjegime por ka filluar të ofendojë, shtyjë dhe kërcënojnë punonjësit e Policisë dhe në tentativë për tu larguar ka goditur dhe automjetin e Policisë.
Nga kryerja e testit të drogës ka rezultuar se ky shtetas drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E.A(M), 40 vjeç, i dënuar më parë për “Vjedhje me dhunë,” Vjedhje me armë”, dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale,” thuhet në njoftimin e policisë.