Arjanit Maloku dhe Jurgen Kacurri janë dy personat të cilën ranë në pranga ditën e sotme në Shqipëri në kuadër të operacionit ndërkombëtar antidrogë të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet italiane, zviceriane, polake Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Maloku dhe Kacurri, janë dy pjesëtarët e grupit kriminal të cilët sillnin kokainën nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian, kryesisht Italisë, Shqipërisë, Polonisë dhe Zvicrës.
Këta dy persona ranë në pranga këtë të mërkurë pas kontrolleve në 21 banesa dhe ambiente të tjera në Shqipëri.
Të dyshuarit pastronin fitimet e tyre të paligjshme nëpërmjet një rrjeti të panumërt kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e krijuar për këtë qëllim, e cila furnizonte fatura false për rreth 375 milionë Euro.
Gjithashtu gjatë operacionit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 30 mijë Euro, 6 mijë Paud, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës Rolex, 26 aparate celulare, dokumente, sende të tjera me vlerë, si dhe prova të tjera materiale.