Në fshatin Naraç të Vaut të Dejës është zbuluar nja magazinë e përshtatur për kultivimin e lëndëve narkotike kannabis sativa. Gjatë një operacioni policor të koduar, në këtë banesë janë sekuestruar 140kg lëndë narkotike në trajtën e boçeve.
Banesa është në pronësi të 61-vjeçarit Zef Shtjefni ndërsa të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm të përfshirë janë dhe Gent Shtjefni, djali i Zef Shtjefnit gjithashtu dhe vëllezërit Dritan dhe David Shtjefni, nipërit e 61-vjeçarit. Të gjithë këta persona janë arrestuar në flagrancë nga policia e shtetit ndërsa mbi to rëndojnë akuzat “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Kjo ndërtesë ishte përshtatur me paisje për rritjen dhe kultivimin e kannabisit teksa nga verifikimet paraprake është parë se në këtë banesë ishin kryer lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Gjithashtu pajisje të tjera të cilat dyshohet të jenë përdorur në këtë aktivitet, janë sekuestuar në cilësinë e provave materiale përfshirë dhe një mjet bujqësor.
Njoftimi i plotë i policisë së shtetit:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Naraç”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen 140 kg cannabis sativa në trajtë boçesh, që u gjetën në një banesë të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje të furnizuara me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Arrestohen në flagrancë 4 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari kriminale (pronari i banesës dhe tre familjarë të tij).
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës dhe me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatin Naraç, bashkia Vau i Dejës, ishte prodhuar lëndë narkotike në një banesë, ushtruan kontroll në kuadër të operacionit policor të koduar “Naraç”.
Gjatë kontrollit, në banesën e shtetasit Zef Shtjefni, në fshatin Naraç, shërbimet e Policisë gjetën rreth 140 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa në trajtë boçesh. Nga verifikimet e kryera rezultoi se në këtë banesë kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Gjithashtu, në një ambient në afërsi të banesës, shërbimet e Policisë kanë gjetur pajisje të ndryshme që dyshohet se janë përdorur për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me lëndën narkotike dhe 1 mjet zetor me rimorkio.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit Zef Shtjefni, 61 vjeç, Gent Shtjefni, 38 vjeç (babë e bir), Dritan Shtjefni, 35 vjeç dhe David Shtjefni 42 vjeç, vëllezër (nipat e shtetasit Z. Sh.), të gjithë banues në fshatin Naraç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.