
Policia e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar mbi ngjarjen e mbrëmjes së djeshme te zona e “Komuës së Parisit” ku një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri.
28-vjeçari Kristjan Kaçorri është vetëplagosur aksidentalisht në këmbë me një armë zjarri të cilën e posedonte pa leje.
Ngjarja ka ndodhur ndërsa ishte nën shoqërinë e miqve të tij në një lokal tek Komuna e Parisit. Pas plagosjes u dërgua në spital ku mori mjekimin e nevojshëm ndërsa është arrestuar më pas nga policia.
Policia e Tiranës ka arrestuar edhe miqtë e tij Ariold Cami, 33 vjeç dhe Arnold Malci 30 vjeç.
Tiranë
U vetëplagos me armën e zjarrit të cilën e posedonte pa leje, vihet në pranga 28-vjeçari.
Vihen pranga edhe dy shtetas të tjerë si dhe shpallet në kërkim një tjetër pasi ndihmuan në fshehjen e armës së zjarrit dhe vendit të ngjarjes.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë.
Pas njoftimit të marrë se rreth orës 01:20, datë 18.05.2025, në spital kishte shkuar për mjekim,një shtetas i dëmtuar në këmbë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 nisën hetimet me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e saj dhe si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, në përfundim të tyre arrestuan shtetasit:
K. K., 28 vjeç, A. C., 33 vjeç dhe A. M., 30 vjeç, të tre banues në Tiranë. Si dhe shpallen në kërkim shtetasin E. E., 41 vjeç, banues në Kucovë.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 28-vjeçari është vetëplagosur aksidentalisht, në ambientet e një lokali në Komunën e Parisit, me një armë zjarri, të cilën e posedonte pa leje. Aktualisht, ky shtetas është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, shtetasit A. C dhe E. E, kanë marrë armën e zjarrit dhe gëzhojën dhe i kanë fshehur në një ambient jashtë lokalit, ndërsa shtetasi A. M(kamarieri i lokalit) ka fshirë vendin e ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.