Dy vëllezërit, Ervis dhe Klevis Serraj, 19 dhe 20 vjeç, janë autorët që i vendosën flakën dy makinave të Ergys Lohja, i cili punon si agjent krimesh në Komisariatin e Shkodrës. Dy automjetet të tipit “Benz” dhe “Kiron Ssanyong” ishin në pronësi të vjerrit të tij, Sabaudim Hoxha, por mbaheshin në përdorim nga Lohja. Gjekson Pusi është personi i shpallur në kërkim si porositësi i kësaj ngjarje.
Kjo ngjarje ka ndodhur në lagjen “Kongresi i Përmetit” rreth orës 03.25 të mëngjesit të datës 30 tetor ndërsa dy makinat ishin të parkuara pranë banesës së Ergys Lohjes. Dy vëllezërit të maskuar janë kapur nga kamerat e sigurisë teksa kanë hedhur benzinë mbi automjetet dhe më pas i kanë vendosur flakën.
Kujtojmë Ergys Lohja, në vitin 2019 është pezulluar nga detyra si inspektor i policisë në Shkodër pasi kishte patur djeni mbi një veprimtari kriminale që operonte në vend dhe nuk kishte kryer kallëzim penal në organet ligjzbatuese.
Kryesisht ky aktivitet kriminal operonte mbi skemën e fajdeve ndërsa Lohja jo vetëm që nuk kishte marrë masa për parandalimin e aktivitetit, por gjithashtu kishte negociuar në uljen e interesave të parave të dhëna me fajde.
Pre e kësaj skeme kishin rënë dy vëllezërit Radovani, djemtë e ish Prefektit të Shkodrës, Paulin Radovani. Ergys Lohja kishte ndërhyrë në aktivitet për uljen e interesave për llogari të dy vëllezërve, në të kundërt për moslarjen e borxheve, anëtarët e këtij grupi do t’i merrnin familjes Radovani pronat, shtëpitë dhe pasuri të tjera që posedonin.
Këtë ngjarje e ka denocuar Paulin Radovani dhe në bashkëpunim me autoritetet, është bërë i mundur shkatërrimi i këtij grupi kriminal ku në pranga të policisë ranë 12 persona.