
Tetë Dekanët e rinj të fakulteteve në Universitetin e Tiranës kanë marrë sot zyrtarisht detyrën. Ata janë pritur në një organizim të veçantë nga Rektori Artan Hoxha, i cili u ka ndarë dhe vendimet përkatëse për detyrën e re.
Në fjalën e tij, Hoxha përshëndeti Dekanët të cilët përfunduan mandatin e tyre të dytë dhe i falenderoi ata për bashkëpunimin, arritjet e tyre si drejtues dhe kontributin që kanë dhënë për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë.
Gjithashtu, Prof. Hoxha i uroi suksese Dekanëve të rikonfirmuar dhe atyre të rinj, si dhe i ftoi ata që të vazhdojnë frymën e bashkëpunimit të trashëguar nga paraardhësit e tyre pasi ky 4 vjeçar do të jetë edhe më i vështirë e plot sfida.
"Falë përkushtimit, cilësisë së lidershipit në të gjitha njësitë përbërëse, si dhe kulturës së të punuarit së bashku, Universiteti i Tiranës është lider jo sepse ka emrin por sepse ka përmbajtjen për të përballuar sfidat që ky të jetë një 4-vjeçar i suksesshëm", është shprehur ai.
Ceremonia e emërimit të Drejtuesve të rinj të Njësive Kryesore në Universitetin e Tiranës u zhvillua në sallën e Senatit Akademik të Rektoratit. Më poshtë, tetë Dekanët e rinj të Fakulteteve në Universitetin e Tiranës:
- Fakulteti i Ekonomisë: Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti;
- Fakulteti i Gjuhëve të Huaja: Prof. Dr. Esmeralda Kromidha;
- Fakulteti i Drejtësisë: Prof. Dr. Dorina Hoxha;
- Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë: Prof. Dr. Mark Marku;
- Fakulteti i Shkencave Shkencave të Natyrës: Prof. Dr. Eglantina Kalluçi;
- Fakulteti i Shkencave Shkencave Sociale: Prof. Asoc. Dr. Edvin Lame;
- Instituti i Fizikes Bërthamore të Zbatuar: Prof. Asoc. Brunilda Daci;
- Instituti i Studimeve Evropiane: Prof. Dr. Aljula Jubani.