
Sot në Gjykatën Penale të Tiranës u zhvillua seanca gjyqësore që lidhej me kallëzimin e Dhomës së Përmbaruesve ndaj Guvernatorit Gent Sejko. Përmbaruesit “akuzuan” në 15 shkurt 2022 Guvernatorin Sejko për shpërdorim detyre me pretendimin se kishte ndryshuar në vitin 2016 rregulloren për licensimin e subjekteve financiare jobanka, duke shtuar një pikë që favorizonte blerjen e kredive nga kompanitë e mbledhjes së borxheve. Ndër përfituesit e licencave ishte edhe kompania MCA që u mbyll pak ditë më parë pasi u arrestua pronarja Elda Ibro dhe disa përmbarues.
Hetimi ndaj Sejkos zgjati dy vite, ndërsa sot gjykata vendosi të dalë me një vendim nëse hetimet do rifillojnë apo do mbyllen për Guvernatorin Sejko.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura për disa orë, me urdhër të gjyqtares Migena Laska, e cila dëgjoi pretendimet e përfaqësuesve të Dhomës së Përmbarimit, ndërsa Guvernatori nuk u paraqit në këtë ballafaqim gjyqësor.
Shpallja e vendimit do bëhet në datë 7 qershor 2024. Ndërkohë që pritet me shumë interes ky vendim gjykate, Guvernatori Sejko po hetohet nga SPAK, për një çështje tjetër që lidhet përsëri me mashtrimet e kompanisë së mikrokreditit MCA.