
Gjendet gjatë paradites së sotme nga policia motori me të cilin dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes vrasësi i Bujar Nasufit, i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme në zonën e "Pallati me Shigjeta" teksa ndodhej në makinë.
Sipas njoftimit zyrtar, motori është gjendur i djegur në zonën e "Kodrat e Sharrës", totalisht i djegur. Motoçikleta është dërguar për ekspertizë, me qëllim gjetjen e provave që mund të çojnë në identifikimin e autorit të atentatit.
Kujtojmë që ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme teksa kryeqyteti u trondit nga ekzekutimi i Bujar Nasufit. Në drejtim të 56 vjeçarit janq qëlluar 6 plumba nga një distancë e afërt, ku dy orej tyre e kapën në gjoks duke i shkaktuar dhe vdekjen.
Viktima ka qenë nën shoqërinë e bashkëshortes së tij teksa ka parkuar makinën pranë banesës, dhe në momentin që ajo ka zbritur nga makina, një person i vetëm me motor është afruar dhe e ka goditur me disa plumba viktimën.
Sipas hetimeve paraprake, biznesmeni Bujar Nasufi nuk rezulton me precedentë të mëparshme kriminale, ndërsa pista që po hetohet është ajo e konflikteve për pronat mes farefisit.
"Në lidhje më ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku u vra me armë zjarri shtetasi B.N, ju informojmë se: Në vendin e quajtur “Kodrat e Sharrës” gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur një motomjet të djegur, i cili dyshohet se i përket autorit.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore përkatëse me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Grupi hetimor po kryen veprime intensive për sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve," thuhet në njoftimin e policisë.