
Gjykata e Apelit ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) informacion mbi bisedat e mundshme në aplikacionin e koduar Sky ECC, lidhur me vrasjen e ish-policit të FNSH-së, Xhulio Prela.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se ky hap është ndërmarrë për të hetuar nëse Redion Hysa dhe Nikoll Sherrniku kanë pasur lidhje me krimin e rëndë.
Redion Hysa, është shpallur i pafajshëm na Gjykata e Lezhës, lidhur me akuzën e vrasjes të policit, në një kohë që prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me 20 vite burgim, ndërsa Sherrniku, lidhje e ngushtë e Ervis Martinaj, akuzohet për krijim të kushteve për te kryer vrasje lidhur me këtë ngjarje.
Aktualisht, çështja po shqyrtohet në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm. Gjykata ka kërkuar nga SPAK të sigurojë bisedat e mundshme në Sky ECC, për të verifikuar nëse ka pasur komunikime mes të pandehurve dhe të tjerëve lidhur me vrasjen e Prelës. Ky informacion mund të ndihmojë në sqarimin e rolit të secilit individ në ngjarje.
Pasi të administrohen këto prova, Apeli do të marrë një vendim përfundimtar mbi fajësinë ose pafajësinë e Redion Hysës dhe Nikoll Sherrnikut.
Në dhjetor 2020, Xhulio Prela u vra në Lezhë. Fillimisht, Brilant Martinaj kushëri i Ervis Martinaj u akuzua për vrasjen e tij, më pas, pas gjetjes së një pistoletë në depozitën e ujit mbi shtëpinë e Redion Hysës, akuzat u përqendruan tek ai.
Megjithatë, në korrik 2023 Gjykata e Lezhës e shpalli të pafajshëm Hysën, duke argumentuar se prokuroria nuk arriti të provonte lidhjen e tij me krimin dhe armën e zjarrit që u gjet.
Nikoll Sherrniku, i akuzuar për "Përkrahje të autorit të krimit", u dënua me 3.6 vite burgim nga e njëjta gjykatë . Ai ka lidhje të ngushta me Ervis Martinaj dhe është i njohur për aktivitete kriminale të mëparshme.