Pothujase dy muaj nga vrasja e Klaudio Prendit në kryeqytet, ndërsa ende nuk ka një autor përgjegjës. Ditën e sotme është bërë me dije se janë shoqëruar për në polici disa persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në atentatin e ndodhur në 19 nëntorit.
Burime për media tregojnë se mes të shoqëruarve dyshohet të jenë porositësi dhe autori i atentatit, këta të fundit të dyshuar si vrasës me pagesë.
Pista kryesore që po hetohet si shkak që ka çuar në ekzekutimin e tij, janë disa konflikte të hapura të viktimës në lidhje me aktivitetin e basteve sportive dhe borxheve.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesnatës të së hënës, 19 nëntor, në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë. I riu ndodhej në lokal me miqtë e tij dhe me disa efektivë policie përpara se të ekzekutohej.
Kanë qenë miqtë e tij ata që e dërguan 30-vjeçarin në spital, por fatkeqësisht ai nuk arriti tu mbijetojë plagëve të marra dhe humbi jetën te Trauma. Ndërkohë, një prej miqve të tij i cili është dhe polic ishte vënë pas autorëve me "Audi RS6", por mjeti i kishte humbur rrugës.
Klaudo Prendi është qëlluar me breshëri plumbash sapo ka hipur në makinën e tij. Automjeti me të cilin udhëtonin atentatorët, ishte me targa greke që rezultonin të vjedhura në shtetin grek.