19-vjeçarja Hygerta Meta, e cila muaj më parë së bashku me vëllezërit vranë dhe groposën në kasollen e lopës babain e tyre, Pëllumb Metën, prej më shumë se një jave ndodhet e shtruar në Spitalin e Burgjeve.
Newsbomb.al mëson ekskluzivisht se e reja është nën kujdesin e mjekëve pasi ka shfaqur probleme shëndetësore. Sipas burimeve bëhet me dije se mjekët kanë vendosur që 19-vjeçarja t’i nënshtrohet ekspertimit psikiatrik-ligjor me qëllim për të kuptuar nëse vuan nga problemet e çrregullimit të shëndetit mendor.
Kujtojmë se në shkurt të këtij viti vrasja e 49-vjeçarit, Pëllumb Meta, tronditi jo vetëm qytetin e Durrësit, por të gjithë vendin.
49-vjeçari u ekzekutua më 10 shkurt në banesën e tij në fshatin Shënavlash dhe më pas tre fëmijët e tij, Hysen, Amarildo dhe Hygerta Meta e varrosën në kasolle, në tentativë për të fshehur kufomën. Ngjarja makabër u zbulua nga policia dy javë më pas, 23 shkurt, pasi djali i madh i familjes, Hysen Meta, e denoncoi të atin të zhdukur.
Sa i përket shkaqeve të kësaj ngjarje, pistat kryesore mbeten dhuna në familje dhe fejesa me shkuesi e 19-vjeçares, Hygerta Meta.
Të tre fëmijët e Pëllumb Metës ndodhen të arrestuar pasi djali i madh, Hysen Meta, akuzohet për “vrasje në rrethana familjare”, ndërsa Hygerta Meta fshehje dhe asgjësim të kufomës. E njëjta akuzë rëndon dhe për djalin tjetër të familjes, Amarildo Metën.
Ishte Hygerta Meta ajo e cila fillimisht mori përsipër aktin monstruoz. E reja para hetuesve pohoi se ishte ajo që vrau të atin pasi ky i fundit dëshironte që ta fejonte me një person të cilin ajo nuk e njihte.
Ndërkohë, pas hetimeve të kryera rezultoi se ishte djali i madh i familjes, Hysen Meta, ai i cili shkrepi armën mbi të atin. Të tre fëmijët në dëshmitë e tyre kanë ripërsëritur frazën se i ati ka qenë i dhunshëm me ta.