
Ervin Muça, ish-drejtor i lartë në Policinë e Shtetit dhe që ndodhet aktualisht në "Arrest në shtëpi" për shkak të akuzës se ka vjedhur të dhënat e sistemit TIMS, ka dhënë dëshminë e tij në Komisionin Hetimor deri në orën 03.30 të mëngjesit të kësaj të mërkure, datë 5 Qershor.
Ndryshe nga ministri Balla dhe kryepolici Rrumbullaku të cilët kanë kërkuar që mbledhja të ishte me dyer të mbyllura, për shkak se do të tregonin detaje që përbënin sekret shtetëror, Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar specifikisht për Ervin Muçën që dëshmia e tij të mos ishte publike.
Por edhe përse të treja dëshmitë që në total kanë zgjatur më shumë se 12 orë janë dhënë me dyer të mbyllura, newsbomb.al ka siguruar detaje ekskluzive, të cilat kanë llahtarisur anëtarët e Komisionit Hetimor.
E tillë ka qenë dhe dëshmia e Ervin Muçës, i cili ka deklaruar se në Policinë e Shtetit e kanë ditur që ai po punësonte shokët në Departamentin e Teknologjisë dhe Informacionit, por askush nuk ka reaguar. Madje, anëtarët e komisionit e kanë pyetur Muçën dhe për emra të përveçëm.
Siç mëson redaksia, ish-drejtori që është tashmë i pandehur, ka thënë se kishte punësuar në Departamentin e tij një shok, specialist IT pranë Agjencisë Kombëtar të Shoqërisë së Informacionit, por nuk e kishte idenë se për poste të tilla duhej pajisja më parë me certifikatë të sigurisë së personelit.
Skandali është edhe më i thellë se kaq. Edhe vetë Ervin Muça, kreu i departamentit që kishte në varësi dhe Sistemin TIMS, rezulton se nuk ka pasur kurrë një certifikatë të sigurisë së personelit. Një kriter kyç për emërim në poste të tilla, sepse personi është në kontakt për shkak të detyrës me informacione të kategorizuara "tepër sekret".
Mungesa e këtij dokumenti është konfirmuar zyrtarisht nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), konkretisht deri në Gusht 2023: "Z. Ervin Muça nuk është i pajisur me CSP (certifikatë të sigurisë së personelit) dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë kërkesë për konfirmim të vlefshmërisë".
Siç ka rezultuar dhe pas ndërhyrjes së paligjshme në TIMS mbrëmjen e 2 Gushtit 2023, por dhe me pas, ish-drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit jo vetëm që është emëruar në detyrë në mungesë të një certifikate sigurie, por edhe pas skandalit që rrodhi në media ai nuk e ka marrë mundimin të aplikojë për t'u pajisur me një të tillë.
Edhe kryepolici Muhamet Rrumbullaku, gjatë dëshmisë për rreth 6 orë para Komisionit Hetimor është pyetur dhe ka dhënë përgjigjet e tij për emërimet ne Policinë e Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, siç mëson ekskluzivisht newsbomb.al, është pyetur konkretisht për emra të veçantë që janë emëruar në poste të larta në organizatën që ai drejton, për shkak se datat e emërimeve nuk përkonin me urdhrat e nxjerr prej tij.
Pra, nëse një emërim në radhët e Policisë së Shtetit është bërë në ditët e para të muajit, urdhri me firmën e drejtorit Rrumbullaku ka dalë ditë apo dhe javë më pas.

Gjendur përpara këtij fakti në Komisionin Hetimor për TIMS, ai është justifikuar duke u shprehur se nuk ka qenë në zyrën e tij në Tiranë, por për takime pune në rrethe dhe ndaj urdhri është firmosur ditë pas emërimit. Mirëpo, newsbomb.al mëson nga burime të sigurta brenda komisionit se Muhamet Rrumbullaku është ballafaquar me shkresa që mbanin firmën e tij, në ditët kur ai pretendonte se nuk kishte qenë në Tiranë.
Protokolli ka ardhur me vonesë, është shprehur ai.
Pavarësisht deklarimeve të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ministrit të Brendshëm apo dhe ish-drejtorit që kishte nën varësi Sistemin TIMS, newsbomb.al mëson se në komision ka dalë se shumica e emërimeve janë bërë pa firmosur Formularët e Vetëdeklarimit, në disa raste pa vetting dhe pa pasjen e një Certifikate Sigurie të Personelit (CSP).