Pasditen e 10 gushtit, jeta e 42-vjeçarit, Eglantin Proga, u ndërpre në mes pas dhunës barbare të ushtruar nga i riu 29-vjeçar, Denis Meçe. I gjakosur e i masakruar Egli u la jashtë ambienteve të një lokali në qytetin e vogël të Pogradecit dhe më pas si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital.
Familjarët e 42-vjeçarit i cili la mbrapa motrën, vëllain, bashkëshoreten dhe dy engjëjt e tij të vegjël po kërkojnë drejtësi dhe dënimin maskimal të Meçes.
Jonida Proga, e motra e të riut me dhimbjen që ka në shpirt është betuar mbi varrin e të vëllait që do i shkojë deri në fund kësaj çështje dhe nuk do të ndalet derisa drejtësia të vendoset në vend.
Ndërkohë, së fundmi mësohet se Eglantini është djali i oficerit Nazmi Proga dhe i mësueses “gojë ëmbël”, Ismete Progës.
Për të gjithë pogradecarët të cilët e dinë kush janë, familja e Eglantinit, ka qenë shembull jo vetëm për qytetin, por dhe fshatrat e zonat përreth.
Mësuese Ismete Proga, u bë burim force dhe frymëzimi. Pavarësisht se sa shumë e donte jetën, familjen, nxënësit, kolegët, punën, sëmundja e pashërueshme e shkëputi nga ata shumë vite më parë, më 2011-tën.
Përpos “luftës” së egër me sëmundjen e rëndë, Ismete Proga “me kurajon dhe dinamizmin e vet, u bë simbol i rezistencës për të shijuar jetën deri në momentet e fundit”, kështu thotë mes rreshtash shkrimtari Istref Haxhillari, i cili llogarinë e tij sociale në “Facebook” e shfrytëzon për të mos i lënë në harresë figura të shquara të Pogradecit.
Ismete Rustem Jolla u lind më 23 korrik 1958 në fshatin Jollë, në një familje tradicionale me shumë fëmijë. Në vendlindje mbaroi shkollën fillore. Jolla, fshati më i largët i Pogradecit me infrastrukturë rrugore nga më të vështirat ishte pengesë serioze për shkollim, por dëshira e saj për të mësuar, ishte e madhe.
Me mbështetjen e familjes ndjek shkollën 8-vjeçare në Trebinjë me konvikt, ku studionin fëmijë nga zonat e largëta. Megjithëse larg kujdesit prindëror, e përfundoi shkollën në vitin 1969 me rezultate të larta dhe fitoi të drejtën për të vazhduar me bursë shkollën e mesme pedagogjike "Luigj Gurakuqi", Elbasan.
Pas diplomimit në vitin 1974, e emëruan mësuese në shkollën 8-vjeçare në vendlindjen e saj Jollë, ku shumë shpejt fituar respektin dhe mirënjohjen e bashkëfshatarëve kualitetin e mësimdhënies dhe sjelljen e shkëlqyer me komunitetin. Një periudhë të shkurtër punoi pranë shkollës 8-vjeçare "Shyqyri Dervishi" Bishnicë.
Në vitin 1981 u martua me Nazmi Progën (oficer ushtrie nga fshati Homçan) dhe u transferua në shkollën 8-vjeçare "Çeta e Mokrës" në Pleshisht. Pas 6 vitesh pune, në vitin 1987 kur erdhën familjarisht me banim në qytetin e Pogradecit, u emërua mësuese në shkollën 8-vjeçare "Dëshmorët e Pojskës" në Udënisht.
Në vitin 1991 u emërua në shkollën 8-vjeçare "Gjok Shqiptari" në Pogradec, deri në vitin 2008 kur e larguan padrejtësisht nga puna, me pretekstin se ishte "me shkollë të mesme". Largimi nga profesioni i dashur e tronditi, por më e keqja nuk kishte kaluar. Pak vite më pas u sëmur nga një sëmundje e pashërueshme. Megjithëse e përballoi me kurajë dhe guxim të admirueshëm, ëndrra e saj për të punuar përsëri mësuese, u ndërpre në mes më 11. 01. 2011, duke lënë pas dhimbje papërshkrueshme.
Për këtë moment të vështirë, bashkëshorti i saj, Nazmiu është shprehur më herët: Kur e larguan në mënyre arbitrare e tërësisht politike nga puna, duke e lënë në mes të rrugës, e përjetoi jashtëzakonisht keq, sepse i ishte përkushtuar aq shumë punës dhe nxënësve, sa nuk e priste diçka të tillë.
Në 33 vite pune dha shpirtin e vet për të mësuar sa më mirë nxënësit që iu besuan. Në sajë të punës, rezultateve të larta, gëzonte respektin dhe dashurinë e fëmijëve, prindërve, kolegëve. Kur bëheshin regjistrimet e fëmijëve, të gjithë prindërit, kërkonin t’i shpinin fëmijët me mësuese Ismeten.
Ishte shembull në familje, shkonim shkëlqyeshëm, lindëm dy fëmijë Eglantinin e Jonidën, të cilët i rritëm e edukuam, e sot janë punonjës në institucionet shtetërore. Shumë fëmijë të shkolluar prej saj më respektojnë edhe mua sot qe janë rritur, më thërrasin xhaxhi Nazmiu i mësuese Ismetes. Nga sëmundja e rëndë dhe goditja me largimin nga puna në mënyre arbitrare e tërësisht politike, u nda nga jeta, më 11 Janar 2011.