Agjentët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë, bëjnë me dije se kanë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe operacionale nën drejtimin e Prokurorisë së kryeqytetit, derisa kanë arritur në zbardhjen e pengmarrjes së Eglant Koçit.
Pas kallëzimit të bërë më datë 05.06.2026 nga familjarët e 34 vjeçarit, për humbjen e kontakteve me të, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit Armand Shakaj, 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng Eglant Koçin.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur i riu, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet Eglant Koçin.
Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e tij.
Automjeti me të cilin Armand Shakaj dyshohet se është transportuar 34-vjeçari i marrë peng, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.
Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi Enea Zyferi, 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast. Ndërkohë, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit Eglant Koçi dhe duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, bëhet me dije se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit.
Në vijim, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e kryeqytetit, do të jepin informacion më të plotë sipas ecurisë së hetimeve.

