
Lorenc Rrapa, babai i fëmijës që dyshohet se ka pësuar dhunë nga edukatorja në një kopësht, ka ngritur shqetësimin për gjendjen psikologjike të djalit të tij. Në një intervistë për Euronews Albania, ai u shpreh se dhuna ka lënë pasoja te vogëlushi dhe se po përpiqet të gjejë një psikolog shtetëror për ta ndihmuar.
"Kam kërkuar ndihmë në institucione shtetërore, por nuk kam gjetur ende një psikolog që të trajtojë djalin tim," tha ai. "Gjendja e tij nuk është normale. Ai ka përjetuar dhunë, si psikologjike ashtu edhe fizike."
Rrapa tregoi se është drejtuar në Qendrën Administrative nr. 14 për të kërkuar një punonjës social ose psikolog, por nuk ka marrë një përgjigje konkrete. "Më thanë se ose ishin me pushime, ose të angazhuar me aktivitete të tjera," tha ai.
Ai denoncoi gjithashtu se është përballur me presion pas denoncimit të dhunës. "Kam bërë një kallëzim në Komisariatin nr. 6 për kërcënimet që kam marrë nga vëllai i edukatores, por ende nuk ka asnjë veprim konkret nga autoritetet," tha ai.
Një tjetër shqetësim për të mbetet fakti që edukatorja e dyshuar për abuzimin nuk është arrestuar ende. "Kanë kaluar 48 orë dhe policia ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Më thonë që po punojnë për rastin, por ende nuk ka një përgjigje konkrete," përfundoi ai.