
Besart Kadia dhe Artemis Malo nuk do të jenë më pjesë e kabinetit të drejtuar nga ministri Igli Hasani. Ata mbanin detyrat e zëvendësministrit të Jashtëm dhe me firmë të kryeministrit Edi Rama janë liruar nga detyra, për të ndjekur drejtime të tjera.
I pari u bë pjesë e kabinetit qeveritar vite më parë, si një zë kritikë i qeverisë, duke marrë postin e zëvendësministrit të Financave, ndërsa një vit më parë kaloi në Ministrinë e Jashtme në të njëjtin pozicion.
Besart Kadia ka marrë besimin e kryeministrit Edi Rama për të drejtuar Ambasadën e Shqipërisë në shtetin e Azerbajxhanit. Newsbomb.al mëson se Kadia do të jetë ambasadori i parë i Shqipërisë në Baku, pasi për herë të parë vendi do të përfaqësohet në nivel ambasade.

Në Mars të vitit 2023, pas vizitës së presidentit Ilham Aliyev në Tiranë dhe asaj të kryeministrit Edi Rama në Baku, u vendos që Shqipëria të hapte seli diplomatike në Azerbajxhan.
Ndërkohë, edhe zëvendësministrja tjetër në Ministrinë e Jashtme është liruar nga detyra për të marrë një post diplomatik. Ajo do të jetë përfaqësuesja e re e Shqipërisë në Kanada, pasi ka marrë besimin e kryeministrit Edi Rama.
Artemis Malo ka shërbyer në detyrën e Zëvendësministres në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme në periudhën 2017-2019 dhe më pas deputete në Kuvendin e Shqipërisë, si përfaqësuese e Qarkut të Gjirokastrës, shkruan newsbomb.al. Në vitin 2022, ajo e rimori postin e zëvendësministres në Ministrinë e Jashtme.

Përpara detyrës së ngarkuar në vitin 2017, Malo ishte e angazhuar si pedagoge për 14 vite në disa universitete brenda dhe jashtë vendit, si dhe në angazhime të ndryshme në përfshirjen dhe aktivizimin e brezit të ri në fushat sociale, por edhe në mbrojtjen e të drejtat e pakicave, apo roli i grave, çrrënjosja e diskriminimit racor apo gjinor.
Artemis Malo do të zëvendësojë në detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Kanada, diplomatin Ermal Muça, i cili e mban këtë detyrë prej gati 10 vitesh.
Po ashtu, post në nivel ambasadori do të marrë dhe profesori i njohur Tonin Gjuraj. Emri i tij është propozuar për diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Kroaci, detyrë në të cilën do të zëvendësojë diplomatin Riza Poda.

Profesori dhe studiuesi Tonin Gjuraj ka disa vite që përvojë në mësimdhënie në nivel universitar, shumë përvojë pune për agjencitë kombëtare dhe ndërkombëtare në çështjet fetare dhe demokracinë, studimet e shoqërisë civile dhe gjakmarrjes, si dhe kërkime në terren. Më herët, ai ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Shtetin e Izraelit (2007 – 2009) dhe tani është anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.
Aktualisht është nënkryetar i Konferencës së Rektorëve të Shqipërisë dhe që nga viti 2011 ushtron detyrën e rektorit të Universitetit Europian të Tiranës, shkruan newsbomb.al.
Ndërkohë, po sot në Kuvendin e Shqipërisë është zhvilluar dhe një seancë dëgjimore me diplomatin Ernal Filo, i cili është propozuar për të qenë kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Ukrainë, rezident.

Filo ka prezantuar veten para anëtarëve të Komisionit për Politikën e Jashtme, ndërsa vlen të theksohet se ka mbajtur postin Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi nga 1 Dhjetor 2014. Për herë të parë, Shqipëria do të ketë dhe një Ambasadë në Ukrainë, në kryeqytetin Kiev.
© Newsbomb.al