Është gjetur çekiçi me të cilin 39-vjeçari shqiptar goditi në kokë gruan e tij, para se ta mbyste me duar dhe më pas ta mbante në papafingo për një javë.
Sipas mediave greke, mësohet se Kastriot Ceno e kishte fshehur çekiçin në papafingon e shtëpisë, aty ku mbante dhe trupin e pajetë të gruas së tij e prej gati 7 ditësh.
Ndërkohë po vazhdojnë hetimet e policisë për vrasjen mizore të Alba Cenkos, krim makabër i ndodhur në Ampelokipi dhe i zbuluar vetëm një ditë më parë, 5 dhjetor.
Alba Cenko u vra një javë më parë nga bashkëshorti, Kastriot Cenko në ambientet e shtëpisë.
39-vjeçari, po nga qyteti i Fierit, e ka goditur me çekiç në kokë gruan duke bërë që ajo të humbasë ndjenjat dhe të rrëzohet përtokë. Më pas, Kastriot Cenko e ka mbytur me duar, e ka mbështjellë trupin e pajetë me çarçaf dhe e ka fshehur në papafingo.
E gjithë ngjarja e rëndë ndodhi teksa dy fëmijët e mitur të çiftit 9 dhe 12 vjeç po flinin në dhomën e tyre. Të nesërmen në mëngjes kur ata u zgjuan kërkuan nënën e tyre, mirëpo Kastrioti u tha se Alba kishte shkuar në punë. Fëmijët kanë shkuar në shkollë dhe më pas autori i ka çuar te vëllai i tij.
Dje, dy fëmijët u kthyen në shtëpinë e tyre dhe aty babai 39 vjeçar vendosi të thërriste policinë dhe të rrëfente krimin. Thirrja u bë pak pas orës 18.00 të pasdites me orën greke dhe kur efektivët kanë mbërritur, kanë ndjerë erën e keqe që vinte nga papafingo.
Paraprakisht, mediat greke raportojnë se gjithçka ka ndodhur kur gruaja, sipas pretendimeve të Kastriotit, ka marrë një telefonatë nga një mik i tij dhe ka hyrë në tualet për të folur. 39-vjeçari e kishte parë telefonin, u zemërua dhe vendosi të vriste gruan e tij, Alba Cenkon.
“Më verboi xhelozia dhe e vrava”, ka deklaruar Kastriot Cenko para oficerëve, duke pranuar krimin makabër.