Hapësire reklamuese

Aktualitet

E punësoi në Komunë dhe i përdori emrin për të vjedhur prona në Bërxullë, hidrauliku kallëzon në SPAK Ymer Markun

Shkruar nga Newsbomb
E punësoi në Komunë dhe i përdori emrin për të
Fotomontazh/ Ymer Marku

Teksa prej javësh ish-kreu i komunës së Bërxullës, Ymer Marku ndodhet në qeli për akuzën “shpërdorim detyre” dhe “ Falsifikim dokumentesh”, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur një tjetër hetim paralel për ish-zyrtarin.

Marku do të përballet edhe me një tjetër kallëzim penal të depozituar në SPAK nga Arben Tafa, i cili më parë ka shërbyer pranë komunës së Bërxullës.

“Ora News” ka mësuar se Arben Tafa, gjatë kohës kur Marku ishte në krye të komunës së Bërxullës është punësuar nga ky i fundit si hidraulik. Mirëpo, ka rezultuar se gjatë kësaj kohe emri i tij është përdorur si maskim për tjetërsimin e disa pronave që ndodhen në zona të ndryshme të Bërxullës.

Në emër të Arben Tafës, është regjistruar me dokumenta të falsifikuara një sipërfaqe toke 4 mijë metra katror. Dokumentat tregojnë se kjo sipërfaqe ndodhet në fshatin Brukë dhe pronari është Arben Tafa. Mirëpo, ky i fundit thotë se nuk është pronari i kësaj toke dhe se nuk ka një dokument që ta provojë origjinën e kësaj pasurie të paluajtshme, prandaj dhe i është drejtuar Prokurorisë.

Hetimet për këtë rast që kanë nisur në SPAK pritet të shtrihen dhe tek verifikimi i rolit të ish-kryekomunarit Marku në pasuri të tjerë që janë tjetërsuar prej tij.

Kujtojmë se më 16 Prill 2024 Policia e Tiranës ekzekutoi urdhërarrestet për ish-kreun e komunës së Bërxullës, Ymer Marku, kryeplakun e fshatit Bërxullë, Agim Loci, Kujtim Balliu, specialisti i Z.M.M.T, si dhe për përfituesin e pronës, Kujtim Allmeta.

Marku, Balliu dhe Agim Loci akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikim dokumentesh”, ndërsa qytetari Kujtim Allmeta akuzohet se ka përvetësuar pasurinë me dokumenta të falsifikuara në bashkëpunim me punonjësit e Komunës Bërxullë dhe Kryeplakun e fshatit dhe ka përfituar edhe të ardhura monetare në vlerën 10.000.000 lekë të rinj.

Nga verifikimet e kryera rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumentet e një sipërfaqeje toke, në fshatin Bërxullë. Gjithashtu, në kuadër të operacionit, është sekuestruar një sipërfaqe toke 7500 m2, në fshatin Bërxullë, Bashkia Vorë. Ata kanë shpërdoruar detyrën duke falsifikuar dokumentet e një sipërfaqeje toke, në fshatin Bërxullë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese