E Premtja e Madhe e Pashkëve është ditë lutjeje e heshtje, ditë e Mundimeve dhe kryqëzimit të Jezu Krishtit, akti më i lartë i dashurisë, që e bën njeriun të lirë.
Të Premten e Madhe të Pashkëve liturgjia e Kishës na fton të meditojmë misterin e mundimeve, të dhimbjes dhe të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq.
Sado e rëndësishme që është lindja e Jezuit, pra kthimi në njeri i Zotit, edhe më të rëndësishme janë e Premtja e Zezë dhe Pashkët. E Premtja e Madhe, apo e Premtja e Zezë është dita kur kujtohen vuajtjet dhe vdekja e Krishtit, Pashkët janë festa e Ringjalljes së tij nga të vdekurit.
Të dyja festat kanë megjithatë një fazë përgatitore. E ashtuquajtura "java e zisë" fillon me të dielën që paraprin dhe është java më e rëndësishme në kalendarin e kishës. Për këtë shkak, në ditën e vdekjes së Jezusit, në të Premten e Zezë, në qendër të përkujtimit janë zia dhe pendimi.
Gjithnjë të Premten e Pashkëve, besimtarët bëjnë pastaj edhe manifestime përshpirtërisë popullore, siç është Udha e Kryqit ose shfaqjet tjera kishtare, të cilat kanë si qëllim të lenë gjurmë sa më të thella në zemrën e besimtarëve, të ndihmojnë përforcimin e besimit në Hyjin e kthimin në Udhën e Jetës, e kjo arrihet në mënyrë të veçantë përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në flijimin shëlbimtar të Jezusit.
Kështu, nga e Premtja e Madhe e Pashkëve e deri në heshtjen e thellë të së Shtunës së Madhe, me altarët e zhveshur nga stolitë, të gjitha Kishat zhyten në soditjen e misterit më madh të shëlbimit që propozon feja e krishterë, duke i ftuar besimtarët t’ia hapin shpirtin Mëshirës Hyjnore deri në kumtimin e Ngjalljes ngadhënjimtare të Jezu Krishtit mbi vdekje.
Në këtë ditë, të Premten e Madhe të Pashkëve, ka rëndësi të madhe pjesëmarrja jonë në Sakramentin e Rrëfimit apo të Pajtimit me Zotin e të afërmin tonë, rrugë e domosdoshme kjo për të pastruar zemrën e për t’u përgatitur për kremtimin e Pashkëve me shpirt të përtërirë. Së paku një herë në vit, kemi nevojë dhe obligim, për këtë përtëritje të shpirtit tonë përmes Sarkamentit të Pajtimit e të marrjes së Eukaristisë Shenjte.