Redion Sefa, Indrit Allamani, Aldo Myftari dhe Lovjano Topi, janë katër pronarët/administratorët e bizneseve që vepronin në fushën e ndërtimit dhe artikujve të tjerë mbështetës, të cilët i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 3 miliardë lekësh, ose 3 milionë euro, raporton newsbomb.al.
Nga këta biznesmenë, vetëm Indrit Allamani dhe Aldo Myftari kanë rënë në pranga, ndërsa të tjerët janë shpallur në kërkim policor. Në pranga kanë rënë dhe dy punonjës të këtyre personave, të cilët kanë pasur dijeni për mashtrimin ndaj shtetit me fatura TVSH-je.
Hetimi i iniciuar nga Prokuroria e Durrësit dhe i mbështetur nga Hetimi Tatimor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimëeve, identifikoi 7 shtetas të cilët deklaronin të dhëna financiare fiktive të subjekteve që administronin apo ku ishin të punësuar, për të shmangur detyrimet tatimore. Nga kjo veprimtari kriminale dëmi ekonomik ndaj shtetit, përllogaritet rreth 3 milionë euro.
Në kuadër të operacionit "Skema", Gjykata e Durrësit pasi është njohur me provat e mbledhura nga hetimi disa mujor i organit të akuzës, ka caktuar masat e sigurisë për biznesmenët Indrit Allamani e Aldo Myftari dhe dy punonjës, ndërsa janë shpallur në kërkim dy biznesmenë të tjerë.
1- “Arrest në burg” për shtetasin Indrit Allamani, 48 vjeç, për veprën penale "Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar";
2- “Arrest në shtëpi” për shtetasen Albana Paja, 36 vjeçe, për veprën penale "Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar";
3- “Detyrim paraqitjeje” për shtetasin Aldo Myftari, 34 vjeç, për veprën penale "Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar";
4- “Detyrim paraqitjeje” për shtetasen Brikena Çela, 34 vjeçe, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
5- Indrit Visha, 35 vjeç, Redion Sefa, 22 vjeç dhe Lovjano Topi, 19 vjeç, të tre me masë sigurie “Arrest në burg”, janë shpallur në kërkim për veprën penale "Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar", raporton newsbomb.al.
Nga hetimet dyshohet se administratorët e subjekteve, shtetasit Redion Sefa, Indrit Allamani, Aldo Myftari dhe Lovjano Topi, në bashkëpunim me 3 shtetasit e tjerë me masa sigurie, të punësuar në këto subjekte, kanë mashtruar për të ardhurat/shpenzimet e deklaruara, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Si u zbulua skema e mashtrimit dhe TVSH
Prokuroria e Durrësit në bashkëpunim me oficerët e hetimit tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve zbuluan skemën e mashtrimi me TVSH-në në të cilën përfshiheshin disa subjekte që operonin në fushën e ndërtimit.
Grupi hetimor ka verifikuar shitjet e subjektit “Redion Sefa”, i cili ka vetëdeklaruar në vlerë total shitjeje prej 286,301,702 lekësh për periudhën Dhjetor 2023 dhe subjektit “Lovjano”, që ka vetëdeklaruar një total shitje 162,302,300 lekë gjatë Dhjetorit të vitit 2023.
Në total, këto subjekte kanë kryer shitje që përllogaritet në 448,604,002 lekë, vlera për të cilat Prokuroria e Durrësit dyshon të jenë fiktive dhe janë faturuar te subjektet që operojnë në fushën e ndërtimit “3D Construction” me administrator Indrit Visha dhe pronare Edlira Visha, dhe Indrit Visha dhe F.P, raporton newsbomb.al.
Hetimi Tatimor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ka kryer verifikimin e faturave të deklaruara, shitjet totale, historikun e punësimit të shoqërive të ndërtimit dhe marrëdhëniet me bizneset e tjera. Nga analizimi i të dhënave të deklaruara si shitjet totale për çdo subjekt, është kryer llogaritja e tatimit mbi vlerën e shtuar si dhe Tatimi Fitimi për çdo subjekt, dhe ka zbuluar dëmin miliarda lekë ndaj shtetit.
Gjithashtu, janë kryer verifikimet e pajisjeve dhe automjeteve që zotëronin shoqëritë e ndërtimit nga ku ka rezultuar se subjekti “3D Construction” kishte në pronësi vetëm automjete luksoze, Mercedes Benz AMG 63, Mercedes Benz AMG GT 43, Porsche Cayenne, Land Rover apo BMW X5. Asnjë prej këtyre automjeteve nuk përdoret për aktivitetin e ndërtimit.
Cilat janë bizneset e përfshira në skemën e mashtrimit me TVSH
Biznesmenët e shpallur në kërkim dhe ata të arrestuar, nëpërmjet faturave fiktive të kompanive ku ishin administratorë/pronarë, i kanë shkaktuar dëm shtetit më shumë se 3 miliardë lekë, pasi shitjet kanë qenë fiktive dhe asnjë nga shërbimet për të cilët është paguar, nuk janë kryer.
Konkretisht, newsbomb.al raporton se bëhet fjalë për kompanitë:
- "3D Construction" me administrator biznesmenin e shpallur në kërkim Indrit Visha dhe pronare shtetasen Edlira Visha,
- "INDRIT ALLAMANI" Person Fizik me pronar biznesmenin e arrestuar Indrit Allamani,
- "REDION SEFA" Person Fizik me pronar biznesmenin e shpallur në kërkim Redion Sefa dhe
- "3AM SHPK" me pronar biznesmenin e arrestuar Aldo Myftari.
Pra, personat e shpallur në kërkim dhe punonjësit e tyre, ishin përfshirë në një skemë të madhe të pastrimit të parave përmes krijimit të kompanive me objekt aktiviteti në fushën e ndërtimit dhe shërbimeve të tjera mbështetëse, duke lëshuar fatura fiktive për punime ndërtimi me qëllim futjen e parave në qarkullim, edhe përse në realitet asnjë shërbim nuk është kryer.
© Newsbomb.al