
Erion Alibej ishte një nga kundërshtarët më të rrezikshëm të të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, ndaj pasi i vranë vëllanë Endritin, ata u angazhuan maksimalisht që të mbaronin punë dhe me Erionin. Referuar dosjes së SPAK, për kokën e "Krymit" janë ofruar deri në 4 milionë euro.
Newsbomb.al sjell ekskluzivisht dy planet më të bujshme të grupit kriminal "Çopja" për të hequr qafe Erion Alibej, të cilat fatmirësisht të dy dështuan sepse në të kundërt viktimat do të ishin shumë.
Episodi i parë - plani për vrasje në qelitë e Drejtorisë së Policisë Elbasan
Në muajin Shtator 2020, është planifikuar që të vritet shtetasi Erion Alibej. Nga bisedat e siguruara nga SPAK, Mikael Kamami dhe Arzen Mama flasin me njëri-tjetrin dhe nga to rezulton se organizata kriminale e drejtuar nga dy vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja ofronin 4 milionë euro që "Krymi" të vritej brenda qelive të Drejtorisë së Policisë Elbasan, ku ndodhej i arrestuar.
Informacionin e saktë për vendndodhjen dhe vendqëndrimin e Erion Alibej, këta shtetas do ta merrnin nga punonjësi i Policisë së Shtetit, Martin Musaj.
Më datë 22.08.2020, shtetasi Arzen Mama i tregon shtetasit Mikael Kamami se bashkë me "veshon" (shtetasin Martin Musaj) kanë bërë një plan se nëse kapet Erion Alibej ti vendosin një bombë në dhomë.
Mikael Kamami pasi ka lexuar mesazhet e Arzen Mamës e pyet nëse Martin Musaj ka besim tek ndonjë person me qëllim vendosjen e lëndës plasëse dhe mund ta vendosi vetë shifrën 3-4.000.000 Euro. Arzen Mama i tregon shtetasit Mikael Kamami se kamerat që monitorojnë pjesën e jashtme të DVP janë jashtë funksionit dhe se Martin Musaj mund ta di se te cila dhomë ndodhej Erion Alibej. Sipas shtetasit Arzen Mama, plani ishte që dikush të futej nga mbrapa shkallëve dhe t'i shpjegohet personit ku do vendosë lëndën plasëse.
Mama i tregon Kamamit se po të futesh nga mbrapa nuk ka kamera dhe del direkt tek dhoma. Sipas shtetasit Arzen Mama, për vrasjen e shtetasit Erion Alibej mund të vendosen 100 gramë tritol tek muri i dhomës ku ai qëndron dhe mund ta shpërthejnë. Ndërkohë, shtetasi Mikael Kamami, i propozon shtetasit Arzen Mama që për vrasjen e shtetasit Erion Alibej duhet të vendosin 5 kg tritol.
Gjatë diskutimeve ndërmjet tyre shtetasi Arzen Mama i shpjegon shtetasit Mikael Kamami se 5 kg tritol janë shumë dhe se gjatë shpërthimit mund të vriten shumë polic. Sipas shtetasit Arzen Mama i kanë të gjitha mundësitë për ta bërë pasi kanë personin që do ti dërgoj ushqim Erion Alibej si dhe në polici kanë edhe Martin Musaj.
Më datë 18.09.2020, Arzen Mama informon shtetasin Mikael Kamami se Erion Alibejn e kanë arrestuar dhe se është në kat të 3-të, veshur me bluzë të zezë. Mikael Kamami e pyet se si mund të vendosin lëndën plasëse. Në vijim të bisedave shtetasi Arzen Mama i tregon Mikael Kamamit se tek dera ku mbahet i ndaluar Erion Alibej po qëndrojnë 2 persona të FNSH.
Më pas, teksa plani vazhdon Martin Musaj i informon këta persona se nuk po e gjente dot se në cilën dhomë ndodhej Erion Alibej, pasi në qeli ndodheshin edhe 4 persona të tjerë të shoqëruar, për të cilët nuk kishte informacion nëse ishin bashkë apo të veçuar.
Kur kanë ndjerë rrezikun e dështimit, Mikael Kamami i ka kërkuar Arzen Mamës që të vendosej tritol në derën e çdo qelie, duke marrë parasysh faktin se mund të vriteshin edhe persona të tjerë të pafajshëm, por kjo nuk prishte punë sepse për ta mjaftonte që të eleminohej Erion Alibej.
Plani dështoi pasi grupi humbi inofrmacionin dhe nuk gjeti dot dhomën e saktë të paraburgimit ku mbahej "Krymi".
Episodi i dytë - Vrasja e Erion Alibej në pallatin e tij me dron
Në periudhën Nëntor 2019 dhe Janar 2020, kjo organizatë kriminale bën një plan të dytë për të hequr qafe "Krymin". Këtë herë, plani bëhet me dron dhe me snajper dhe Erion Alibej do të vritej në pallatin ku banonte në Elbasan.
Më datë 18.02.2020, shtetasi Mikael Qosja (Kamami) ka biseduar me shtetasin Ervis Daka për vrasjen e shtetasit Erion Alibej. Ervis Daka shpreh dëshirën për të ekzekutuar Erion Alibej dhe është i gatshëm "të bëhet ai Kurban" vetëm kjo punë të mbarojë. Në vijim shtetasi Ervis Daka e pyet shtetasin Mikael Qosja (Kamami), nëse njeh dikë tek pallati i Erion Alibej, me qëllim ndezjen e një zjarri dhe që më pas të futet Ervis Daka si zjarrfikës dhe të ekzekutojë Erion Alibej.
Këto mesazhe i janë dërguar shtetasit Franc Gergely (Copja) në forëard nga shtetasi Mikael Qosja.
Më datë 02.03.2020, shtetasi Mikael Qosja (Kamami), ka biseduar me shtetasin Besmir Haxhia për ekzekutimin e Erion Alibej me një dron. Shtetasi Besmir Haxhia i ka thënë shtetasit Mikael Qosja (Kamami) se këtë ngjarje do ta kryej grup i tyre dhe nuk duhet të angazhojnë persona të tjerë pasi sipas tij kjo gjë mund t'i ekspozojë.
Më datë 04.03.2020, shtetasi Mikael Qosja (Kamami), bisedon me shtetasin Franc Gergely (Çopja), të cilin e informon duke i thënë se snajperi dhe dronët do jenë gati për ekzekutimin e shetasit Erion Alibej. Sipas shtetasit Mikael Kamami, droni do jetë me një sasi prej 15 kg tritol minimumi dhe do shpërthej sipër banesës së Erion Alibej.
Përmbajtja e mesazheve që shtetasi Mikael Qosja (Kamami) i dërgon shtetasit Franc Gergely (Çopja): "Tfunit pra o plako; Me e shkri komplet; Pak dame edhe posht do ket; O plako sjan eksperta shemjesh /6 cop do bahen Ok man; Po 3 cop do plasen ne te njejten koh”.
Edhe ky plan i dytë për vrasjen e Erion Alibej dështoi. Aktualisht, ky shtetas është në burg dhe ka fituar statusin i penduar i drejtësisë shqiptare, pasi ka pranuar të bashkëpunojë me SPAK dhe ka treguar për një sërë ngjarjesh kriminale.
© Newsbomb.al