Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Dyshohet se ndezi qëllimisht zjarrin në Frashtan, arrestohet 39 vjeçari

Shkruar nga Newsbomb
Dyshohet se ndezi qëllimisht zjarrin në Frashtan, arrestohet 39
Pamje nga zjarri në Frashtan

Një 39 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Gjirokastrës, pasi akuzohet për zjarrvënie të qëllimshme në fshatin Frashtan të Dropullit ditën e djeshme.

Pas informacioneve për përhapjen e flakëve në këtë zonë, forcat zjarrfikëse dhe grupet hetimore mbërritën në vendngjarje për të shuar dhe hetuar rrethanat e zjarrit.

Si rezultat i hetimeve, u gjet se zjarri ishte i qëllimshëm dhe autor i tij ishte  shtetasi me iniciale M.K., nga Frashtani.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, ndërsa mbi 39 vjeçarin rëndon akuza për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Zjarri i djeshëm në Frashtan dogji sipërfaqe të mëdha me shkurre, dhe për shkak të terrenit të thepisur u desh ndihma e Forcave të Armatosura që të ndërhynin nga ajri me helikopter, për të bërë të mundur vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve në këtë zonë.

Njoftimi i policisë:

Policia identifikon dhe arreston autorin e zjarrvënies në pyjet e fshatit Frashtan.

Prej mesditës së djeshme, shërbimet e Policisë kanë mbajtur në kontroll perimetrin ku janë përhapur flakët.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë së Gjirokastrës, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, të asistuar nga një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera menjëherë pas njoftimit se në pyjet e fshatit Frashtan, në vendin e quajtur "Papasima", kishte rënë zjarr, Policia e Gjirokastrës ka mundësuar identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit M. K., 39 vjeç, banues në fshatin Frashtan, Dropull.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese