Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Dy vjet në listë pritje për analizat e gjakut. Poliklinikat në Vlorë pa data prenotimesh, i ezauron spitali

Shkruar nga Newsbomb
Dy vjet në listë pritje për analizat e gjakut. Poliklinikat
Foto ilustruese

Në qendrat shëndetësore të fshatrave të Vlorës është e pamundur të prenotosh një datë për kryerjen e analizave të gjakut, pasi nuk ka.

Edhe nëse mund të kapësh ndonjë datë të lirë ajo përkon pas dy vitesh. Kjo pasi fondi i analizave  është i përbashkët midis Spitalit Rajonal Vlorë dhe qendrave shëndetësore, por spitali i ezauron të gjitha falë edhe urgjencave dhe për qendrat shëndetësore nuk mbetet asgjë.

I tillë është edhe rasti i një 75 vjeçari nga Tërbaçi i Vlorës i cili prej dy vitesh është në listë pritje për të bërë analizate  gjakut në shtet. Beshir Abazi në 2012 ka bërë një bypass  dhe më pas ka vendosur edhe tre stent-a në zemër. Vendosja e stent-ës së fundit alarmoi mjekët shprehet ai ku i kanë kërkuar të bënte çdo tre muaj analizat e gjakut rutinë, për të mbajtur gjendjen në kontroll.  ” Unë prej dy vitesh që kërkoj të bëj analizat në shtet nuk kam mundur. Jam detyruar i kam bërë në privat, por për pensionin tim prej  15.600 nuk ia dalë dot, pasi marr edhe 14 ilaçe të tjera. Jam interesuar tek mjekja e familjes e cila më thotë se nuk ka data  të lira që t’i prenotosh. Unë nuk dua t’i bëj një herë në tre muaj, por nuk po arrij dot t’i bëj as një herë në vit. Kur të më vij data mua pas 2-3 vitesh s’e di a do jem gjallë” shprehet 75 vjeçari.

Sëbashku më gazetarët e Fiksit 75 vjeçari kontakton nëpërmjet telefonin mjeken e familjes  Afërdita Metaj. Ajo i pohon në telefon se prej dy vitesh shteti nuk ka data të lira. Edhe ato pak data që hidhen zihen menjëherë shprehet mjekja. “Unë si mjeke kam kapur vetëm një datë vjet ku duheshin dy muaj t’i vinte radha e kryerjes së analizave. Nuk di çfarë të të them, nga ana ime është ngritur si problem dhe raportoj çdo muaj, por dhe unë vetë në privat i bëj se data as që bëhet fjalë” pohon mjekja.

Fiksi iu drejtua Spitalit Rajonal Vlorë për të mësuar më shumë në lidhje me problematikën.  Në një telefonatë me nëndrejtorin e këtij spitali, Ardi Sheremeri,  ky i fundit mohon kategorikisht mungesën e fashave. ” Ka një numër të caktuar  të fashave  që caktohen për poliklinikat, pasi këto përfitojnë nga buxheti i analizave të caktuara për spitalin. Por analizat bëhen në mënyrë të rregullt” shprehet ai. Gjithashtu shpjegon se nuk e kanë hasur asnjëherë një problematikë të tillë ndryshe nga çfarë shprehet mjekja e familjes së Qendrës Shëndetësore Brataj dhe vetë denoncuesi që po e heq mbi kurriz. Ai thotë se ka një numër të caktuar fashash mujore ku përfitojnë qendrat shëndetësore, por që në realitet nuk rezulton kështu. Pyetjes së Fiksit se sa është ky numër në muaj nëndrejtori  kërkoi një kërkesë  zyrtare, të cilën Fiksi ia çoi, por që sot e kësaj dite nuk ka marrë përgjigje./ Fiks Fare – Top Channel

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese