Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të premten më 5 prill vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Korçës, Luljeta (Topalli) Kolonja. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa Bungon dhe anëtar Roland Ilian.
Gjatë seancës dëgjimore më 4 prill, Kolonja dha shpjegime më së shumti për të ardhurat e bashkëshortit nga puna në emigracion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë deklaruar si burim për blerjen e një apartamenti, pasuri për krijimin e të cilës u konstatua bilanc negativ.
Ajo dha shpjegime dhe për gjendjen në dukje në konflikt interesi në gjykimin e një çështje me palë shoqërinë ndërtuese ku kishte blerë apartamentin, si dhe për gjetjet në aspektin profesional. në përfundim, Kolonja këmbënguli se arrinte nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.
Luljeta (Topalli) Kolonja përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Pogradecit. Ajo mban aktualisht pozicionin e gjyqtares në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, gjyqtarja Luljeta Kolonja zotëronte pasuri me vlerë 3.6 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e saj familjare kap vlerën e 9.5 milionë lekëve, evidenton BIRN.
Ajo zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 7.6 milionë lekë, kursime në cash prej 1.3 milionë lekë, pasuri të luajtshme me vlerë 493 mijë lekë dhe likujditete bankare me vlerë 114 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 30.3 milionë lekë, nga të cilat 55% kanë si burim pagën e subjektit, 30% pagat e familjarëve dhe 14% të ardhurat nga shitja e pasurisë së patundshme.