
Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin bregdetar të Vlorës mëngjesin e kësaj të diele. Rreth orës 06:20, 58-vjeçari Renato Hoxha ra pre e një atentati. Si pasojë e plagëve të marra ai humbi jetën në vendin e ngjarjes.
E teksa kjo ngjarje e është e mbushur me mister dhe policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj vrasje, të tjera detaje janë bërë me dije për mediat.
Mësohet se autori i dyshuar i ngjarjes e ka pritur shënjestrën e tij për më tepër se gjysmë ore poshtë banesës së tij. Në momentin që 58-vjeçari ka dalë nga shtëpia, për të shkuar në punë, pasi punonte si roje pranë një objekti ndërtimi në afërsi të banesës së tij, autori e ka qëlluar me dy plumba në kokë dhe një në trup.

Sakaq kamerat e vendosura në atë perimetër nuk kanë arritur që të kapin momentin kur dhe autori ka qëlluar mbi Hoxhën, por bëhet me dije se kanë fiksuar atentatorin pasi është larguar në këmbë.
Ai rezulton të ketë qenë i veshur me rroba ngjyrë blu, ndërkohë që në kokë mban një kapele dhe maskë anticovid në fytyrë.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në lagjen “Hajro Çakërri”, ku 58-vjeçari Renato Hoxha u qëllua për vdekje në afërsi të banesës së tij.
Ka qenë bashkëjetuesja e 58-vjeçarit ajo e cila ka dëgjuar të shtënat dhe ka gjetur partnerin e saj të shtrirë në rrugë, me plagë në trup. Menjëherë ajo njoftoi policinë, të cilët mbërritën në vendin e ngjarjes me urgjencë.
View this post on Instagram
“Sot, rreth orës 06:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, në rrugë, në afërsi të banesës së tij, është gjetur pa shenja jete, dyshohet i vrarë me armë zjarri, shtetasi R. H., 58 vjeç, i cili ishte i punësuar dhe si roje në një objekt në ndërtim pranë banesës së tij.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.”, njofton policia.
Hoxhaj nuk ishte një emër i njohur për policinë dhe në zonë njihej si një njeri punëtor dhe jo problematik. Ai ishte i divorcuar dhe familjarët e tij jetojnë jashtë vendit. Ndërkohë që ai punonte si roje në një objekt ndërtimi në afërsi të banesës së tij si dhe bashkëjetonte me një grua e cila i përket komunitetit rom.