Kryetari i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme Federale të Gjermanisë, Johann Saathoff.
Fokusi i diskutimeve në këtë takim, ishte marrëdhënia e mirë midis SPAK dhe agjencive ligjzbatuese gjermane.
Kreu i SPAK, Dumani falenderoi përfaqësuesit e këtij delegacioni për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit gjerman ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke shprehur konsideratat më të larta për nivelin mjaft të mirë të bashkëpunimit ndërkombëtar në kuadër të ndihmës së ndërsjelltë juridike midis palëve.
Në kahun tjetër, sekretari Saathoff, nënvizoi se SPAK është një institucion mjaft i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri, i cili konsiderohet nga shteti gjerman si një ndër institucionet kyçe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sipas Saathoff, nuk është rastësi që kjo vizitë e këtij niveli në Shqipëri fillon me këtë institucion. Nga ana tjetër, sekretari evidentoi rëndësinë që shteti gjerman i ka dhënë bashkëpunimit me SPAK, ku si në pak vende, prezenca e oficerëve të kontaktit në Shqipëri është më e lartë.
Të dy përfaqësuesit e lartë ranë dakord se ky takim do të pasohet me takime të tjera në të ardhmen e afërt, duke synuar rritjen e veprimeve të tjera konkrete.
Gjithashtu, të pranishëm në këtë takim kanë qenë Ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Tiranë, Karlfried Bergner, Oficerët Ndërlidhës të atashuar pranë kësaj ambasade, Drejtuesi i Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta, Arben Kraja, Drejtuesi i Seksionit kundër Krimit të Organizuar, Adnan Xholi, Drejtuesi i Seksionin kundër Korrupsionit, Klodjan Braho si dhe Këshilltari Ligjor zoti Fabian Zhilla.