
Kryetarja e Partisë Demokratike të Sarandës, Manjola Nikollo ka vendosur që të japë dorëheqjen nga posti drejtues duke shprehur ambicien për garën e primareve.
Përmes një njoftimi zyrtar, Nikollo përpos falënderimeve për të gjithë ata demokratë që i besuan sërish të ishte në krye të Partisë Demokratike në Sarandë, ka kërkuar nga ata të pranojnë dorëheqjen e saj pasi sipas udhëzimeve të bëra publike një ditë më parë nga Sali Berisha posti i saj drejtues bie ndesh me procesin e primareve.
Për këtë arsye, ajo ka vendosur të japë dorëheqje nga posti të cilin sipas saj nuk e ka cilësuar si një privilegj, por një arsye për të punuar më tepër dhe e barabartë me demokratët.
Ndër të tjera, Nikollo ka kërkuar mbështetjen e të gjithë anëtarëve në garën e primareve.
“Duke filluar nga sot, do të kërkoj mbështetjen e çdo anëtari për garën e Primareve, me një objektiv dhe vizion të qartë. Jam e bindur se, bashkë ne mundemi, jo vetëm që Saranda të jetë e përfaqësuar në nivel qëndror me një banor të sajin, atë që ja di e ja “qan” si duhet hallet qytetit, por edhe Partia Demokratike të arrijë fitoren e shumëpritur por edhe të merituar.
Ju kërkoj me përulje, që në garën e Primareve të gjykojmë ftohtë e me maturi, të veprojmë si demokratë e të sillemi me qytetari. Nuk është garë emrash, por është garë dinjiteti. Është gara e të gjithë ne, që t’i ofrojmë çdo votuesi mundësinë për të zgjedhur qytetarin e mirë, intelektualin, politikan e drejtë, por mbi të gjitha përfaqësuesin e tyre të devotshëm. Jam e bindur se përfaqësoj këto cilësi, e mbi këtë bazë do të kërkoj edhe mbështetjen tuaj”, shkruan ajo ndër të tjera.
Kujtojmë se ditën e djeshme Partia Demokratike nisi hapat e parë për procesin e Primareve. Kryetarëve të degëve të PD-së iu dërgua një njoftim ku theksohej se nëse duan të marrin pjesë në primare e të garojnë për deputet, duhet të japin dorëheqjen nga posti që kanë në drejtimin e degës së partisë.
Kjo kërkesë u kundërshtua nga Kryetari i Degës së Partisë Demokratike për qytetin e Vlorës, Bujar Leskaj, i cili në një shkrim të publikuar në rrjete sociale, tha se ky kusht do të dëmtonte rëndë frymën demokratike që kjo parti përfaqëson.
“Në gjykimin tim, Kryetarët e Sekretarët e Degëve, qofshin aspirantë apo jo për deputetë të ardhshëm duhet të kualifikohen të votëbesuar, për t’u nominuar në përzgjedhjen e kandidatëve, në ndërtimin e listës përfundimtare.
Lista përfundimtare natyrisht duhet/do të vendoset nga Kryetari i Partisë Demokratike dhe çdo kandidat duhet të pranojë paraprakisht një kod etiko-politik në respektimin pa kushte shtesë të çdo pozicioni të dalë nga ky vendim”, u shpreh ai.
Njoftimi i Manjola Nikollo:
Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike Sarandë!
Falë mbështetjes suaj, 8 muaj më parë, u rizgjodha për një mandat të dytë si drejtuese e degës sonë. Përgjegjësia ime për ndaj çdo demokrati u dyfishua, motivimi im për të përmbushur me sukses detyrën, u shumëfishua. Gjatë kësaj periudhe jam përpjekur me mish e shpirt jo vetëm të përmbush detyrat e mia funksionale, por edhe të bëj gjithçka për të bashkuar e forcuar degën tonë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.
Bazuar në udhëzimin e kryesisë së PDSH-së, funksioni i Kryetarit të degës bie ndesh me procesin e Primareve dhe për këtë arsye duhet të dorhiqet, kërkoj nga ju me përulësi të pranoni vendimin për të dhënë dorëheqjen nga detyra. Si një prej jush, duke kaluar hap pas hapi çdo funksion prej anëtares së thjeshtë të seksionit e deri në nivel drejtuesi, e quaj legjitime ambicjen time për të kandiduar në procesin e Primareve për listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 Majit 2025, për të cilën nuk mund ta realizoj pa mbështetjen tuaj!
Kurrë nuk e kam quajtur privilegj të qenit drejtuese, por akt sakrifice për të mirën e përbashkët, në mënyrë të veçant këto 12 vjet të vështira të opozitë që kemi përjetuar të gjithë bashkë. Krah jush, kam punuar si e barabartë mes të barabartëve, si demokrate mes demokratësh por mbi të gjitha si një qytetare e cila politikën e sheh si mjet për të shërbyer e jo për të përfituar. Gjithnjë kam luftuar për të arritur e jo të qëndroj e heshtur përball padrejtësive, sepse kam besuar gjithnjë se qëndresa e guximi janë mjeti i duhur që ne t’ja dalim.
Kandidatura për deputete, nuk ka qenë kurrë qëllim në vetvete. Qëllimi im ka qenë gjithnjë kontributi për Partinë Demokratike pavarësisht pozicionit. Por mendoj se në këto momente janë pjekur kushtet, që përfaqësimi im, i joni së bashku, të kalojë në këtë stad të ri. Nuk preferoj dhe nuk kam preferuar kurrë emërime, ndaj do të garoj sërish, ashtu si kam bërë gjithnjë, duke filluar nga seksioni, kryesia e deri tek drejtimi i degës.
Duke filluar nga sot, do të kërkoj mbështetjen e çdo anëtari për garën e Primareve, me një objektiv dhe vizion të qartë. Jam e bindur se, bashkë ne mundemi, jo vetëm që Saranda të jetë e përfaqësuar në nivel qëndror me një banor të sajin, atë që ja di e ja “qan” si duhet hallet qytetit, por edhe Partia Demokratike të arrijë fitoren e shumëpritur por edhe të merituar.
Ju kërkoj me përulje, që në garën e Primareve të gjykojmë ftohtë e me maturi, të veprojmë si demokratë e të sillemi me qytetari. Nuk është garë emrash, por është garë dinjiteti. Është gara e të gjithë ne, që t’i ofrojmë çdo votuesi mundësinë për të zgjedhur qytetarin e mirë, intelektualin, politikan e drejtë, por mbi të gjitha përfaqësuesin e tyre të devotshëm. Jam e bindur se përfaqësoj këto cilësi, e mbi këtë bazë do të kërkoj edhe mbështetjen tuaj.
Duke qenë mirënjohëse dhe e përulur për këtë sakrificë të jashtëzakonshme tuajën në këto vite shumë të vështira opozite, kërkoj mbështetjen tuaj në këtë sfidë të re.
Ju faleminderit për gjithçka demokrat!