Hapësire reklamuese

Aktualitet

DËSHMITË/ Vrasja e “Pushit”, ja pse dyshonte nëna e viktimës te dy shokët e tij

Shkruar nga Newsbomb
DËSHMITË/ Vrasja e “Pushit”, ja pse dyshonte nëna e
Ura ku u gjet Osman Berberi, më 28 shkurt 2009

Detaje dhe dëshmi të reja kanë hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur më shhkurt të 2009 ku u gjet i masakruar Osman Berberi, në atë kohë vetëm 27 vjeç.

Osman Berberi, ishte babai i një vajze katër vjeçare, që thuhet se u rrëmbye mesditën e datës 19 shkurt 2009 nga persona të veshur si policë, brenda një lokali fare pranë banesës së tij në Kodër Kamëz vetëm pak orë, pasi një telefonatë urgjente, e kishte nxjerrë herët në mëngjes nga banesa.

Për herë të parë emisioni ‘Në shënjestër’, të gazetares Klodiana Lala pas kaq shumë vitesh, do të përpiqet të hedhë edhe njëherë dritë mbi rrëmbimin, torturimin dhe mënyrën se si gjet i masakruar, 27 vjeçari, Osman Berberi, më datë 28 shkurt 2009, rreth orës 11.00 të mesditës, në këmbët e ‘Urës me Harqe’ në Milot, apo ndryshe e njohur si Ura e Zogut.

Dëshmia e nënës, Diamanta Hima

"Djali i im Osmani nuk e njihte Kujtimin, edhe ky i fundit nuk ka qenë i pranishëm as në varrimin e tij. Kujtimi ka për grua vajzën e tezes së Veli Xhanit, i cili ishte dhe vjehrri i Osman Berberit.

Alban Skonja është i lidhur me Kujtimin vetëm nëpërmjet Luçiana Xhanit dhe kam bindjen që dhe shtëpinë me qira në qytetin e Laçit, Alban Skonjës ia ka siguruar Kujtimi."

Vetë nëna e Osmanit, tha se nuk kishte asnjë bindje tjetër se vrasësi i të birit, ishte Alban Skonja. Dhe se krimi nuk kishte lidhje me një tradhti të mundshme bashkëshortore të Osmanit, me gruan që kishte njohur në Greqi.

Diamanta HimaUnë nuk kam dyshime për këtë rast. Dyshimet e mia i kam tek Alban Skonja i cili mendoj se këtë e ka organizuar se bashku me Luciana Xhanin.

Diamanta Hima dha detaje edhe në lidhje me karakteristikat e dy personave, Bujarit nga Fushë-Kruja dhe Melit nga qyteti i Laçit. Të cilët sipas saj qëndronin në banesën e Luçianës, vjehrrës së Osmanit dhe që ishin miq të Alban Skonjës. Alban Skonja një mbrëmje, i kishte kërkuar njërit prej tyre t'i sillte atë plakun e vjetër, duke nënkuptuar një pistoletë.

Diamanta HimaBujari është i moshës rreth 27 vjeç, i martuar dhe ka një djalë. Ai ishte me flokë të zinj, të prera mesatarisht. Ky i ka sjellë Luçianës një herë vaj ulliri dhe raki. Ndërsa personi tjetër i cili quhej Meli nga Laçi, ishte i moshës rreth 33 vjeç, bjond me flokë të drejta. Një herë në darkë në kohën që edhe unë isha tek Luçiana dhe po hanim darkë, Alban Skonja mori ne telefon Melin dhe i tha: ‘Më sill nesër ate plakun e vogël me vete. Une e pyeta Luçianën se kush ishte ky plaku i vogël dhe ajo më tha se ‘plaku i vogël’ është pistoleta. Të nesërmen në darkë rreth orës 17.00, Meli i solli Albanit një pistoletë si e vjetër. Aty unë kam njohur Melin dhe Bujarin. Kjo ka ndodhur rreth 10 ditë para se djali im Osmani të vinte nga Greqia. Pas vdekjes së djalit tim, Meli u qeth tullac."

Por sipas grupit hetues, Osman Berberi rezulton se u dëbua nga banesa e tezes së tij në Greqi, nga bashkeshorti i saj Ramazan Tabaku, pasi ky i fundit zbuloi se Osmani kishte mbajtur në banesën e tyre dy çanta të dyshimta, të disa shokëve të tij.

Dosja Hetimore

Në bazë të informacioneve të siguruara rezulton se autorë të mundshëm të vrasjes së Osman Berberit, mund të jenë shtetasit Alban Skonja (person në kërkim) njeri i afërt i bashkëshortes së tij, në bashkëpunim me shtetasin Aurel Xhani, vëllai i bashkëshortes së Osman Berberit.

Megjithëse mbeten për t’u pyetur dhe bashkëshortët Vandelina dhe Ibrahim Allkurti të cilët ishin lidhje e ngushtë shoqërore e Osman Berberit dhe që kanë dijeni për aktivitetin e tij në shtetin grek si dhe lidhjet e tij shoqërore me interes për hetimin.

Por megjithë veprimet hetimore dhe operative të kryera zbulimi i autorëve të kësaj ngjarje kriminale, nuk u bë i mundur kurrë.

Sipas grupit hetues, Osman Berberi, kishte marrë shumë telefonata para krimit, nga persona të ndryshëm.

Por asgjë nuk u bë e mundur të zbërthehej nga këto biseda.

Ndërsa vdekja e tij kishte ndodhur jo më pak se 14 orë nga momenti i ekzaminimit të trupit nga ana e ekspertëve mjeko-ligjorë.

Dosja Hetimore

Siç konstatohet nga perfundimet e ekspertëve, rezulton se shtetasi Osman Berberi është vrarë me armë zjarri  tip pistoletë, në formën e ekzekutimit, pasi është qëlluar afër në kokë.

Më pas duket qartë se kufoma është dhunuar me mjete prerëse.

Sipas kthim përgjigjeve nga kompanitë celulare, një nga numrat e fundit që rezulton se e ka marrë Osman Berberin, mëngjesin e herët të datës 19 shkurt 2009, kur ai la me nxitim banesën, ishte edhe ai i vëllait të bashkëshortes së tij, Aurel Xhani. Por ky i fundit çuditërisht mohoi që të ishte ai që e kishte telefonuar atë mëngjes.

Ndërkohë që i dyshimtë mbeti edhe një numër anglez që e thirri atë mëngjes, Osman Berberin. Për të cilin autoritetet britanike, nuk dhanë asnjë përgjigje me interes për hetuesit shqiptar.

Dosja Hetimore

Kunati i Osman Berberit, Aurel Xhani e pranon se e ka këtë numër telefoni dhe se vazhdon ta disponojë. Ai përmend faktin se këtë numër telefoni nuk ia ka dhënë njeriu, po kështu as telefonin për ta përdorur dikush tjetër. Ai nuk pranon faktin se e ka telefonuar Osman Berberin me telefonin e tij në orën 06:50.

Po kjo histori duket se ka një prapaskenë shumë më të frikshme. Dhe ku me gjasa janë përfshirë shumë persona.

Pasi më vonë nëna e Osman Berberit, tregoi për grupin hetues, se djali i saj kishte qenë i detyruar nëpërmjet kërcënimit, që ta linte pasaportën në Greqi, te shtëpia e gruas, që ai e cilësonte të dashurën e tij.

Dhe këtë ia kishte thënë qoftë Ramazan Tabaku, nëpërmjet bisedës që ai kishte bërë me bashkëshortin e kësaj gruaje, por edhe vetë Osmani, me të mbërritur në Shqipëri.

Dosja Hetimore

Më datë 25 Mars 2009 unë kam marrë në telefon burrin e motrës time, Ramazan Tabaku, ku e pyeta se si e kishte emrin familja në Greqi ku shkonte djali im Osmani.

Ai më tha se unë nuk dua të përzihem fare në këtë problem, pasi dhe unë kam frikë.

Ramazani më tha se i gjithë strumbullari  i kësaj pune është Skënder Ulliri.

Djali i im Osmani pasi erdhi nga Greqia më datë 11 Shkurt 2009 më tha: ‘Plake, mua ma kanë mbajtur pasaportën në Athinë dhe më kanë kërcënuar. Osmani nuk mi tregoi arsyet se përse pasaporta e tij mbeti në Athinë.

Pas varrimit të tij mua më mori në telefon nga Athina djali i motrës, Ergys Tabaku dhe më tha se bashkë me babain kishin pirë kafe me atë burrin të cilit Osmani i shkonte në familje. Me t’u ulur në tavolinë ai u kishte thënë që të mos i tregonim gruas së tij që Osmanin e kishin vrarë. Ai i kishte thënë Ramazanit se vrasjen e kishte marrë vesh nga ato çunat që i kishin lënë pasaportën e Osmanit.

Njëri prej tyre quhet Gëzim Lata dhe është nga Burreli. Pas vrasjes së Osmanit, Gëzim Lata i ka thënë këtij personi që të niste urgjentisht pasaportën e Osmanit për në Shqiperi.

Në lidhje me dyshimet e nënës, se autor i mundshëm i vrasjes së Osman Berberit ishte Alban Skonja, grupi hetues mbajti në përgjim ambiental këtë të fundit bashkë me kunatën e viktimës.

Në këtë rast, Aurorën, motrën e Odetës, bashkëshortes së tij. Përgjimi ambiental u krye në dhomat e izolimit. Ku në një moment Alban Skonja rezulton se i bën me shenjë Aurora Xhanit, që të mos flasë.

Veprimet Hetimore

Pas kapjes së personit në kërkim Alban Skonja u realizuan veprime me teknikë operative ndërmjet tij dhe shtetases Aurora Xhani (kunata e Osman Berberit).

Veprim ky i kryer në ambientet e Drejtorisë së Policisë Qarkut të Durrësit. Ku gjatë këtij përgjimi u konstatua se Alban Skonja ia bëri me shenjë Aurorës për të mos folur. Aktualisht ky shtetas është i arrestuar për kryrjen e veprës penale ‘Vjedhje me armë’ ndodhur në qytetin e Durrësit.

Por pikërisht atëherë ku mendohet se kjo histori krimi horror fillon e qartësohet, dëshmitë e ndryshme fillojnë e bëjnë edhe më të ç’orientuar drejtimin se ku duhet zënë filli i kësaj histori që fundin e pati në një vrasje mizore.

Diamanta Hima

Siç më ka thënë Dave Beleshi ate ditë djali ka pirë kafe në lokalin e saj me Kreshnik Kurtsmajlin, Kel Matoshin si dhe një person i cili në dorë kishte një tatuazh gjarpëri, të cilët pasi kanë dalë nga lokali i Daves kanë hipur në një makinë të zezë. Krushka ime, Luçiana Xhani më tha se nga Greqia kishte ardhur edhe Lin Ndou, dhe mund të ketë qenë edhe ai në kafe atë ditë. Ku bashkë me ta ka qenë edhe Gjevalin Hasani, i cili mbante baseta te holla dhe flokët i kishte të lidhura bisht. Por që tani basetat i ka hequr dhe flokët i ka shkurtuar.

Nëna e Osmanit tha në një moment të dëshmisë së saj se ditën e varrimit, Besnik Ndou, shoku i ngushtë i djalit të saj, me të cilin ai kalonte pjesën më të madhe të kohës, qoftë në Greqi por edhe në Shqipëri, i ishte afruar dhe i kishte treguar se ku duhet ta kërkonte të keqen që i kishte ndodhur.

Duke i përmendur edhe dy emra. Emra të cilët më pas Besnik Ndou i kishte mohuar, duke kërcënuar nënën e Osmanit që të mos fliste në polici, pasi ai ishte vetë i gjashtë vëlla.

Diamanta Hima

Alban Skonja me Odetën, nusen e Osmanit, dhe me Rozetën, gruan e Ylli Byberit, janë fëmijë tezesh.

Besnik Ndou erdhi nga Greqia, një javë para djalit tim Osmanit, ku unë e pyeta se çfarë bënte djali im atje. Besniku më tha se natën e Vitit të Ri e kaluam së bashku me Linin dhe me Osmanin dhe me disa shokë të tjerë në shtëpinë e Ramazan Tabakut, aty ku aty kemi bërë dhe një sherr të madh, por pa më shpjeguar më gjatë për motivin e sherrit. Besniku më tha më tej se Osmani kishte një të dashur, e cila ishte kushërira e gruas së tij dhe se burri i saj ka shumë lekë dhe kjo grua ka gjashtë vëllezër që merren me drogë.

Kjo bisede mes meje dhe Besnik Ndout u bë rreth datës 8 Shkurt 2009. Ditën e varrimit të Osmanit, Besnik Ndou erdhi në shtëpinë time dhe më tha se përse nuk ma përmende dhe mua emrin gjatë vajtimit të Osmanit. Se tek ato shokë që u përmende emrin gjate vajtimit, te Ylli Byberi dhe te Jetmir Vatnika, aty e ke të keqen.

Pastaj Besniku mi mohoi të gjitha fjalët që më kishte thënë më datë 8 Shkurt 2009 dhe më kërcënoi duke më thënë që të mos ia përmendja emrin në polici, pasi unë jam vetë i gjashtë vëlla…

Por një tjetër ngjarje e ndodhur vetëm dy ditë para se Osman Berberi të zhdukej, duke se e intrigon edhe njëherë këtë histori. Dhe mund të jetë pse jo një nga shkaqet e zhdukjes së papritur të tij.

Diamanta Hima

Djali im Osmani, e pinte kafenë çdo ditë në lokalin e Lek Vatnikës. Dy ditë para se të zhdukej Osmani ka ngrënë dhe ka pirë në lokal së bashku me Jetmir Vatnikën, Kreshnik Kurtsmajlin, Sander Vukën, Kel Matoshin, Shkëlzen Byberin, Besard Byberin si dhe Gjevalin Hasanin i cili është dhe daja i Jetmir Vatnikës dhe që banon ne Bathore, person i cili ka shumë pak kohë që është liruar nga burgu.

Në kohën që Osmani ishte në lokal me këta persona, unë iu afrova tek dritarja e lokalit dhe i thashë: ‘Hajde mor nane në shtepi se nuk ti jep njeri bërxollat se të don fort se ti nuk ke asnje lek në xhep’.

Osmani më tha që të ikja dhe të mos shkoja më aty se dhe po të më vrasin nuk do ma marrin trupin me vete. Kete shprehje ai ma  kishte thënë edhe ditën që ishte kthyer nga Greqia, në prezencë të të atit të Alban Skonjës, që quhet Dylaver Skonja. Të nesërmen mora vesh se ishte kapur nga policia Jetmir Vatnika për një vrasje. Mund të ketë qenë data 17 Shkurt 2009.

Por a u bë arrestimi i Jetmir Vatnikës, dhe mendimi se ai mund të jetë dekonspiruar nga Osmani, arsyeja e vërtetë përse ai u mor peng dhe më pas u gjet i torturuar. Apo rrëmbimi dhe vrasja e tij, kishte lidhje me problem të mëhershme të tij.

Diamanta Hima

Atë ditë Jetmir Vatnika u kap nga policia, Osmani erdhi në shtëpi dhe shkatërroi gjithçka. Unë e pyeta se përse e kishin arrestuar Jetmirin, por ai më tha: ‘shko dhe pyete vetë’.

Unë kam dyshime serioze se vrasja e djalit tim Osmanit është kryer në lokalin e Lek Vatnikës, pasi gjate gjithe ditës shokët e Jetmirit kanë qenë në lëvizje.

Në darke une kam parë një Xhip të zi me xhama të errët që ndaloi tek lolali i Lek Vatnikës dhe nga kjo makinë zbritën tre burra, Ludovik Ndreca i cili banon në Mamurras që ështe dhëndër në godinën tonë; Siri Hasani i cili banon në Shkodër dhe Agustin Nili i cili banon në Kodër-Kamez. Atë ditë dhe dy tre ditë me pas unë kam parë dhe Gjevalin Hasanin duke pirë në lokalin e Lek Vatnikës’.

Por a është kjo një histori tradhtie brenda rrethit të një grupi shoqëror të cilët merreshin me punë të pista, ku viktimë mbeti Osman Berberi, apo ka të bëjë me një histori droge të shkuar keq.

Në të gjithë këtë mori dëshmish, e vërteta është se në këtë histori ka pasur edhe nga ata që fillimisht kanë treguar kurajon për të rrëfyer diçka rreth asaj që dinin. Por që më pas për arsye ndoshta të kuptueshme, janë tërhequr duke mos guxuar të tregojnë të vërtetën se kush dhe përse e vrau Osmanin.

Ku me interes është edhe një bisedë që Serma Barushi, komshie me nënën e Osmanit, i ka thënë kësaj të fundit.

Serma Barushi, e cila ka mësuar nga Halil Bushkashi, daja i Odetës, se rrëmbyesi dhe torturuesi i Osmani Berberit, është Alban Skonja.

Serma Barudni

Më datë 16 Nëntor 2009, rreth orës 17.00 më thirri tek dera e shtëpisë nje komshie e imja, e cila quhet Serma Barushi. Ajo më tha se gjatë paradites, në shtëpinë e saj erdhi Halil Bushkashi së bashku me gruan e tij, Hanen.

Duke qenë se unë në momentin që Halili dhe Hania, kishin ardhur, nuk isha në shtëpi, Serma më tha se ai i kishte lënë porosi, që Diamanta të vinte ta takonte me patjetër.

Kjo pasi ai kishte dijeni të plotë për vrasjen e djalit tim, personat që e kishin marrë, vendin ku e kishin mbajtur, torturat që i kishin bërë, pra dinte gjithçka. Të gjitha këto Halili i kishte dëgjuar në Burrel kur kishte shkuar tek vëllezërit dhe motrat e tij.

Halili i kishte thënë se duhet të shkoja ta takoja tek Ura e Dajlanit në Durrës pasi atje ai ka shtëpinë.

Gjatë kohës që Halili kishte dalë në oborr, Hania i kishte thënë Sermës se djalin tim Osmanin e kishte marrë Alban Skonja, Haxhi Dyshuka dhe një person i tretë të cilin ajo nuk e kishte thënë pasi në këtë kohë komshies time i kishte ardhur djali, dhe biseda ishte ndërprerë këtu.

Por kjo bisedë midis komshies së nënës së Osmanit dhe Hanes, duket se nuk ishte ndërprerë këtu. Pasi ajo i kishte treguar edhe detaje rrënqethëse se si Osmani ishte rrëmbyer dhe torturuar. Detaje që përkojnë edhe me me shenjat e dhunës së gjetura në trupin e tij.

Diamanta Hima

Hania i kishte thënë më pas Sermës se Osmanin e kishin mbajtur tre ditë në Burrel. Vendin nuk e dinte, por kishte se e kishin torturuar duke përdorur një makinë qethëse me korent, e cila përdoret për të qethur delet. Makinë të cilën Alban Skonja e kishte sjellë nga Greqia.

Ata me këtë makinë i kanë hequr të gjithë tatuazhet nga trupi Osmanit me qëllim që ai të mos njihet kur ta gjente policia.

Por Halil Bushkashi jo vetëm nuk tha asgjë lidhur mbi përfshirjen e Alban Skonjës në vrasjen e Osmanit, por në prokurori deklaroi se në dijeninë e tij ata kishin marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin

Halil Bushkashi

Dy nipat e mi Alban Skonja dhe Alfred Skonja kishin marrëdhënie shumë të mira me Osman Berberin.

Ndërsa Ismail Dishuken e kam njohur në Durrës në kohën qe ai është liruar nga burgu. Ajo që dua të theksoj është se Ismail Dishuka ka qenë në burg me nipin tim Alban Skonjën.

Lidhur mbi vrasjen e Osmanit Berberit mendoj se duhet të pyetet më shumë bashkëshortja e  tij,Odeta. Unë mbesë e kam por ajo duhet të shpjegojë më shume nëse ka pasur kontradita me Osmanin.

Por kush e vrau në të vërtetë Osman Bërberin. Dhe pse Prokuroria e Rrethit Kurbin e mbylli në vitin 2009 dosjen e tij. Dhe a është koha që me gjithë këto dëshmi, dosja të rihapet edhe njëherë dhe Osmani të marrë drejtësi dhe vrasësit e tij, kushdo qofshin ata, ndëshkimin e duhur sipas ligjit.

A është koha që dikush ta thyejë heshtjen dhe ndërgjegjen e tij, ta qetësojë, duke rrëfyer atë që ndodhi mëngjes shkurti të vitit 2009. Dhe Osman Berberi të prehet më në fund në paqe, dhe jo me shpirtin e trazuar se vrasja e tij, nuk do të zbardhet kurrë.

Detyrë që ndoshta pas këtij dokumentari, u lind edhe organeve të reja të drejtësisë, që duhet të çpluhurosin njëherë e mirë këtë dosje.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese