Gazeta britanike The Sun ka trajtuar në një artikull të detajuar historinë e ekstradimit të Dritan Rexhepit nga Turqia në Shqipëri, një nga figurat më të kërkuara ndërkombëtare për trafik droge dhe krime të tjera.
Rexhepi, i njohur si “Mbreti i Kokainës”, ishte i famshëm për mbushjen e tregut britanik me drogë dhe ishte në kërkim për vrasjen e dy policëve. Pas 27 vitesh në arrati, Shqipëria arriti të sigurojë ekstradimin e tij, duke fituar një garë të ngushtë me vende si Italia, Anglia dhe Belgjika.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në një intervistë për këtë gazetë britanike, theksoi rëndësinë e këtij operacioni:
“Ekstradimi i Dritan Rexhepit është një sukses madhor që pasqyron besimin që partnerët ndërkombëtarë kanë ndaj Policisë së Shtetit. Kjo dërgon një mesazh të qartë se asnjë person i kërkuar nuk është i sigurt, pavarësisht ku fshihet. Falënderoj autoritetet turke për bashkëpunimin e tyre.”
The Sun nënvizon rolin e Rexhepit në trafikun ndërkombëtar të drogës, duke përmendur dërgesat masive të kokainës nga Ekuadori drejt Portsmuthit, Angli. Një nga këto operacione rezultoi i pasuksesshëm, duke sjellë pasoja të rënda, përfshirë pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës, i cili humbi jetën gjatë transportimit të tij në kompleksin “Golden” në Shijak.
Kjo ngjarje dhe arrestimi i Rexhepit janë cilësuar si fitore e madhe për drejtësinë shqiptare dhe bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimit të organizuar.