
Dritan Dajti, i dënuar vite më parë me 25 vite burg për vrasjen e katër agjentëve të Operacionales në Policinë e Shtetit, kërkon të dalë nga qelia. Ai po shfrytëzon boshllëkun ligjor me procedurat dhe thotë se dënimi i ka përfunduar prej të shtunës, datë 17 gusht 2024.
Por kur dënimi i tij, sipas pretendimeve dhe shkresave zyrtare ishte drejt fundit, Gjykata e Lartë pranoi një vendim të dhënë vite më parë nga ish-Gjykata për Krimet e Rënda që e dënoi atë me burgim të përjetshëm.
Mirëpo, pavarësisht këtij vendimi, Prokuroria e Elbasanit nuk ka dalë me një urdhër për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili duhet t'i komunikohet Dritan Dajtit për dënimin përjetë dhe Burgut të Peqinit ku ai po mbahet.
Këtë po shfrytëzon dhe Dajti përmes avokatëve të tij, duke pretenduar se në mungesë të një urdhri të ri ekzekutimi për dënimin e përjetshëm, ai po mbahet në mënyrë të paligjshme në qeli.
Gjykata e Lartë në vendimin e pak ditëve më parë, paragrafi 84, ia ka lënë për detyrë Prokurorisë së Elbasanit, e cila mbulon territorin ku Dritan Dajti vuan dënimin për të dalë me një urdhër ekzekutimi. Ndërkohë, të premten më datë 16.8.2024, një ditë para se Dritan Dajti të mbaronte dënimin zyrtarisht, IEVP Peqin i është drejtuar SPAK për t’iu dhënë urdhër ekzekutimi.
Sipas avokatëve, Dritan Dajti deri me sot mbahet në burg në mënyrë të paligjshme pasi vendimi që u la në fuqi, ai i përjetshmi, sipas tyre nuk ka urdhër ekzekutimi. Kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtari i gatshëm në Elbasan dhe pritet të shihet se çfarë vendimi do të merret.
Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, mbetën të vrarë në operacionin e Policisë me 7 gusht të vitit 2009, kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, ndërhynë në zonën e plazhit për të arrestuar Dajtin i cili ishte në kërkim, pasi ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.