Hapësire reklamuese


Aktualitet

Drejtuesja e BKH-së kërkon një mandat të dytë 5-vjeçar, SPAK: Aida Hajnaj të kalojë testet nëse shpreh interes

Shkruar nga Newsbomb
Drejtuesja e BKH-së kërkon një mandat të dytë
 Aida Veizaj Hajnaj

Prokuroria e Posaçme ka nisur procedurën e riemërimit për drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Veizaj Hajnaj, e cila e drejton për 5 vite më radhë këtë institucion. 

Hajnaj ka shprehur interesin për një mandat të dytë 5-vjeçar më 28 mars, megjithatë sipas SPAK, ajo duhet të kalojë të gjitha fazat e testimit me sukses për t'u rikonfirmuar.

Ndërkohë, përmes një shkrese drejtuar SPAK, Hajnaj ka kërkuar informacion lidhur me komisionin që do të bëjë vlerësimin, ndërsa bëhet me dije se ajo ka kërkuar riemërim në mënyrë automatike.

Sipas ligjit, Aida Hajnaj, ka të drejtën e riemërimit edhe për një mandat tjetër, dhe SPAK mund t'i japë të drejtën të riemërohet në të njëjtin pozicion nëse ajo shpreh interes. Por, SPAK ka deklaruar për mediat se ka nisur tashmë procedura e riemërimit të Drejtorit aktual të BKH-së.

Komisioni i përzgjedhjes përbëhet nga Altin Dumani (Drejtues i Prokurorisë së Posaçme) dhe prokurorët e posaçëm Arben Kraja e Behar Dibra. SPAK ka sqaruar se fillimisht, Komisioni shqyrton kërkesën për riemërim të Drejtorit aktual të BKH-së, ndërsa më pas duhet t'i nënshtrohet të gjitha fazave të procesit. 

“Ky proces zhvillohet vetëm për Drejtorin në detyrë. Pas vlerësimit të kalimit të Drejtorit në detyrë të të gjitha fazave më lart, Komisioni vlerëson nëse kandidati përmbush kriteret e parashikuara në nenet 34 dhe 38 të ligjit nr. 95/2016. Nëse ai nuk i kalon me sukses këto faza, atëherë Komisioni i Përzgjedhjes e konsideron të mbyllur procesin e ‘riemërimit’ dhe shpall garën për përzgjedhjen e një Drejtori të ri të BKH-së”, ka deklaruar SPAK për mediat. 

Aida Veizaj Hajnaj u emërua si drejtorja e parë e Byrosë Kombëtare të Hetimit nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me më 30 korrik të vitit 2020, teksa që prej 2018-ës mbante pozicionin e zëvendësdrejtores së Policisë së Shtetit. 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese