Vettingu ka konfirmuar në detyrë Rebani Jaupin, ish drejtori i Policisë së Tiranës, dhe njëherësh Drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Me një karrierë mbi 20-vjeçare në Policinë e Shtetit, Rebani Jaupi ka mbajtur edhe funksione të tjerë në drejtoritë e qarqeve në Durrës, Elbasan dhe në Tiranë.
Komisioni i Vlerësimit gjatë vlerësimit në tri kritere; atë të pasurisë, kontrollit të figurës dhe aftësive profesionale nuk gjeti asnjë shkelje. Gjithashtu, nuk ka rezultuar se ka pasur informacione ose materiale mbi përfshirjen e Rebani Jaupit në aktivitete të kundërligjshme.
Po ashtu AMP ka kërkuar shkresë edhe tek Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, ku në kthim përgjigje rezulton se Rebani Jaupi është i pajisur me Certifikatë Sigurie Personeli në nivelin "Tepër Sekret" lëshuar me datë 03.05.2023, e vlefshme deri më datë 02.05.2028.
Ndaj drejtuesit të lartë të Policisë nuk është marrë vendim për refuzim, heqje apo pezullim të përkohshëm të CSP. AKSIK nuk disponon rekorde për shkelje sigurie në lidhje me informacionin e klasifikuar "Sekret Shtetëror", të NATO, BE, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.
Rebani Jaupi gjithashtu gjatë kryerjes së testit të drogës dhe alkoolit ka rezultuar i pastër.