Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas lajmit se drejtoresha e komanduar e RTSH, Aurora Polo ka hequr nga pozicioni i kryeredaktorit të lajmeve të RTSH1, Olsjan Laskajn.
Pas këtij veprimi, gazetari në fjalë është larguar nga detyra duke qenë se i është shkaktuar dëm moral dhe financiar. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, ku përmes një njoftimi thekson qartë se vendimi ishte arbitrar, dhe i bën thirrje drejtoreshës Polo që të rishikojë vendimin e marrë.
"Ne i bëjmë thirrje organeve të RTSH që të rishikojnë vendimin e Drejtoreshës së Përgjithshme në detyrë në lidhje me ish-kryeredaktorin Olsjan Laskaj. Ne inkurajojmë organet drejtuese që të zbatojnë ligjin dhe të mos lejojnë asnjë shkelje, veçanërisht në këtë periudhë tranzicioni deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri të televizionit," thuhet në reagim.
Njoftimi i plotë:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është informuar mbi vendimet arbitrare të Radio Televizionit Shqiptar në lidhje me punonjësit e departamentit të Informacionit.
Së fundmi, drejtoresha në detyrë, Aurora Polo, në kundërshtim me Statutin e RTSH dhe Kodin e Punës, ka ulur në detyrë pa një arsyetim kryeredaktorin e lajmeve të RTSH1, Olsjan Laskaj. Ky veprim ka shkaktuar largimin e tij nga puna, pasi i është shkaktuar dëm moral dhe financiar.
Teksa gara për drejtuesin e ri të Radio Televizionit Publik Shqiptar është përmbyllur dhe Këshilli Drejtues pritet të zgjedhë Drejtorin e Përgjithshëm të Televizionit, AGSH dënon çdo veprim abuziv të drejtuesve në detyrë të RTSH.
Ne i bëjmë thirrje organeve të RTSH që të rishikojnë vendimin e Drejtoreshës së Përgjithshme në detyrë në lidhje me ish-kryeredaktorin Olsjan Laskaj.
Ne inkurajojmë organet drejtuese që të zbatojnë ligjin dhe të mos lejojnë asnjë shkelje, veçanërisht në këtë periudhë tranzicioni deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri të televizionit.