
Redaksia e Newsbomb.al ka raportuar dje skandalin e zbuluar nga autoritetet e drejtësisë në Itali, për lëshimin e certifikatave dhe diplomave false nga Kolegji Universitar "Wisdom" në Tiranë. Sot, mediat në vendin fqinj kanë publikuar detaje të tjera, të cilat tregojnë sesi janë korruptuar zyrtarët shqiptarë për të lejuar akreditimin e këtij institucioni arsimor.
Kolegji Universitar "Wisdom" në Tiranë ka qenë në pronësi 100% shqiptare, por më vonë i ka kaluar shtetasit italian Savino Cianci, i cili ka emëruar si administrator shtetasin Leonardo Catalano.
Dy nga të dyshuarit i kanë dhënë ryshfet një zyrtari të qeverisë shqiptare për të "garantuar aktivizimin dhe përfundimin e favorshëm të procedurës së akreditimit të institucionit". Sipas hetimit të koordinuar nga Prokuroria e Tranit në Itali, në dosje shfaqen drejtoresha e ASCAL, Aquila-Shqiponja Telhaj, ish-ministrja Evis Kushi dhe ish-zëvendës ministrja Albana Tole.

Për profesoreshën Shqiponja Telhaj, në dosje thuhet se ajo është korruptuar me një çantë të shtrenjtë "Louis Vuitton" me vlerë 1.200 euro. Gjatë një darke, drejtoresha e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, ka marrë dhuratën e shtrenjtë nga drejtuesit e Kolegjit "Wisdom".
"... për ushtrimin e funksioneve të tij si Kryetar i Këshillit të Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë ASCAL, organ qeveritar i Qeverisë Shqiptare i emëruar drejtpërdrejt nga Presidenti i Këshillit të Shqipërisë, që korrespondon me aktivizimin dhe përfundimin e favorshëm të procedurës së akreditimit të Wisdom University, gjatë një darke i dhanë Aquila Telhaj, një zyrtari publik i investuar me funksione të ngjashme me ato të zyrtarëve të Ministrisë së Universitetit, një çantë femrash të markës Louis Vuitton me vlerë 1200.00 euro", thuhet në fashikujt e dosjes së Prokurorisë Italiane.
Ky institucion që në vendin tonë vepronte si institucion i arsimit të lartë, është provuar se shpërndante diploma dhe certifikata false për qytetarë italianë që synonin të futeshin në administratë. Këta shtetas, paguanin nga 8.000 euro për letra false.
Po ashtu, Savino Cianci dhe Leonardo Catalano, pronari i vetëm dhe administratori i Kolegjit Universitar "WISDOM" në Tiranë, dyshohet se kanë korruptuar dhe ish-ministren e Arsimit Evis Kushi dhe zëvendësen e saj, Albana Tole.

Gjatë një episodi, në prag të Krishtlindjeve Savino Cianci dhe bashkëshortja e tij, Lucia Catalano e cila nëpër revista prezantohej si drejtuese e Kolegjit Universitar "Wisdom" në Tiranë, kanë përgatitur dhe shpërndarë dhurata për drjetuesit më të lartë të Ministrisë së Arsimit në Shqipëri.
“Lucia Catalano dhe Savino Cianci bëjnë çmos për të përgatitur dhe për të dorëzuar dhuratat për festat e Krishtlindjeve për: Pietrangeli (ambasador), Lucia Cuçiarelli dhe Carlo Intaschini, Evis Kushi, Albana Tole...”, thuhet nder të tjera në dokumentet e publikuara nga mediat italiane.
Një episod tjetër i raportuar në letrat e hetuesve ka të bëjë me një makinë luksoze Maserati krejt e re. Për të "pastruar" paratë, Marco Lombardi bleu një Maserati Levante në emër të Cianci dhe Cs Consulting Group srl të Catalanos.
© Newsbomb.al