Motra e 42-vjeçarit, Egli Proga, i cili ndërroi jetë më 10 gusht pas dhunës së ushtruar mbi të nga 29-vjeçarit, Denis Meçe, u ka bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen asaj ditën e hënë në orën 19:00, në marshimin i cili do të mbahet në sheshin “Skëndërbej”.
Përmes një reagimi publik ajo shkruan se nuk do të ndalet derisa të vendoset drejtësi për vëllain e saj.
“Miq, dashamirës, qytetarë të mirë të vendit tonë që këto ditë tragjike për familjen time na jeni gjendur kaq pranë. Vetëm mbështetja juaj na ka dhënë pak forcë të përballojmë dhimbjen e vrasjes makabre të vëllait tonë, Eglantin Progës.
Faleminderit nga zemra të gjithëve kudo jeni!
Nesër në dt. 19 gusht, ora 19:00 do të jem në sheshin “Skënderbej” me familjen time, në marshimin: Drejtësi Për Eglin !
Do të jem aty jo vetëm për Eglin tim, që më sheh nga Lart në Qiell, por edhe për Drejtësinë që unë në emër të tij kërkoj në Tokë, në Shqipëri.
Unë nuk do ndalem sa të kem frymë e të gjej drejtësi për Eglin.
Ju ftoj edhe ju pa dallim e ngjyrim, të më bashkoheni në këtë marshim dhimbje, për t‘i thënë me heshtje dhe frymë: Stop kriminelëve të tjerë që do guxojnë të vrasin Eglin tuaj!”, shkruan e motra e Eglantinit, i cili humbi jetën më 10 gusht jashtë ambienteve të një lokali në Pgoradec, pas dhunës së ushtruar nga 29-vjeçari Denis Meçe.
Egli Proga u vra pasditen e së shtunës nga Denis Meçe, pas një konflikti të çastit midis tyre. Ngjarja e rëndë, u raportua fillimisht si aksidentale, por më vonë hetimet zbuluan se ai ishte rrahur për vdekje nga Meçe.