Hapësire reklamuese

Aktualitet

Dosja e grupit të Suel Çelës, Apeli i GJKKO heq masën për Elton Qynon, lë në burg ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu

Shkruar nga Newsbomb
Dosja e grupit të Suel Çelës, Apeli i GJKKO heq masën
Pajtime Fetahu/ Suel Çela

Apeli i GJKKO ka ndryshuar disa masa sigurie në lidhje me dosjen e grupit të Suel Çelës. Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën “arrest në burg" për ish-gjyqatren Pajtime Fetahu dhe vëllezërit Marsel e Xhino Roka.

Ndërkohë, gjyqtari Dhimitër Lara ka hequr masën e sigurisë "detyrim paraqitje" për Elton Qynon, ndërsa për kolegun e tij, Artan Hoxha vijon të jetë në fuqi masa "detyrim paraqitje", pasi ky i fundit nuk ka paraqitur ankimin në Apel. 

Edhe i shumëkërkuari i drejtësisë Suel Çela nga arratia, bëri kërkesë për heqjen e masës së sigurisë “arrest me burg”, mirëpo GJKKO e rrëzoi këtë kërkesë të tij.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më 14.01.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 2 akti, datë 06.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim M.R., Xh.R., E.Q., P.F., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 138, datë 22.11.2024 dhe nr. 146, datë 27.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit n.138 datë 22/11/2024 dhe vendimit n.146 datë 27/11/2024 të Gjyqtarit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të hetuarit apelues z.M..R., z.Xh.R. dhe znj.P.F..

Shfuqizimin e vendimit n.138 datë 22/11/2024 dhe vendimit n.146 datë 27/11/2024 të Gjyqtarit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të hetuarin apelues z.E.Q.”-njofton gjykata e Apelit."

Më nëntor të 2024, SPAK lëshoi 21 masa sigurie për anëtarët e grupit të strukturuar kriminal të bandës së Suel Çelës në Elbasan.

Prokurorët ranë në gjurmët e organizatës kriminale nxitur nga komunikimet në rrjet “SkyECC”. Lidhjet më të forta grupi i kishte me ish-gjyqtarë, prokurorë dhe drejtues të policisë.

Organizata kriminale që drejtohej nga Suel Çela me qëllim kontrollin e territorit kishte si synim kryesor eleminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i organizatës kriminale që drejtohej nga Suel Çela.

I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.

Shtetasi Marjus Lulaj (alias Suel Çela) u identifikua si drejtuesi i organizatës, përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave.

Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si; Mario Çela, A.V., Bujar Shega, Klaus Matishi, Xhino Roka etj ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve.

 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese