Këtë të premte opozita dhe Aleanca për Teatrin kanë paralajmëruar protestën e radhës para ambienteve të Bashkisë së Tiranës. Sipas njoftimit të bërë me dije nga vetë organizatorët pritet që qytetarët të mblidhen para Bashkisë rreth orës 11:00, por se kur do të ikin kjo nuk dihet.
Ndryshe nga protestat e herëve të kaluara të cilat kanë zgjatur shumë pak, kjo e sotmja pritet të zgjasë më tepër, plot 10 orë ku dhe opozitarët do të kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj pas skandalit me dosjen "5D".
Në dokumentin e firmosur nga kryepolici Tonin Vocaj, opozita dhe Aleanca për Teatrin kanë në dispozicion 10 orë për të protestuar. Sipas kësaj shkrese protesta nis në orën 10 të mëngjesit dhe pritet të zgjasë deri në orën 20:00 të mbrëmjes.
Deri më tani nuk dihen skenaret e menduara nga organizatorët për protestën e kësaj të premte, ndërkohë kujtojmë se herët e kaluara ka pasur tym e flakë para ambienteve të Bashkisë. Qytetarët, deputetët demokratë dhe këshilltarët e opozitës në Bashkinë e Tiranës kanë hedhur molotovë drejt dyerve të këtij institucioni. Por, nuk kanë munguar as përplasjet me Policinë.
Si rrjedhojë Policia e Shtetit për protestën e sotme doli me një njoftim zyrtar ku dhe i bëri thirrje organizatorëve e protestuesve që të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune. Sakaq, theksojmë se në zbatim të planit të masave, në orën 09:45 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye efektivët kanë sugjeruar që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.
“Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, ditën e nesërme, në orën 09:45 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.
Gjatë dy tubimeve të fundit, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u bën thirrje organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune”, njoftoi dje Policia.